Pas 23 vitesh në banesë, dëbohet gjermanja për tu vendosur familja shqiptare

51 Lexime

Vala e refugjatëve në Gjermani, i ka detyruar shumë komuna të ballafaqohen me limitin e mundësive të tyre në vendosjen e të arratisurve. Gjatë këtyre halleve të komunave, ato janë të detyruara të ndërmarrin edhe masa jo të popullarizuara, duke i larguar nga banesa qiramarrësit e vjetër. Javën që po e lëmë pas, një rast i tillë ka ndodhur në Komunën Nieheim, i cili shkaktoi shumë debate, kur një qiramarrëse është kërcënuar për tu larguar nga banesa në të cilën kishte jetuar 16 vite. Pas kësaj ishin shkaktuar reagime të shumta drejtuar kryetarit të komunës në fjalë.
Kryetari i Komunës Eschbach, Mario Schlafke e kishte përcjellur me kujdes situatën në Nieheim, pasi edhe në komunën e tij është paraqitur një problem i ngjashëm. Schlafke është kryetari i kësaj komune të vogël në Baden-Württemberg, shkruan „Stren.de“, transmeton „Shtegu.com“. Komuna ka gjithsej 2.369 banorë, duke përfshirë këtu edhe njëmbëdhjetë refugjatë, ndërsa deri në fund të vitit pritet të vijnë edhe shtatë të tjerë. Refugjatët kanë qenë të vendosur në një kontejner, përskaj shtëpisë së zjarrfikësve, pranë një fushe të futbolli, por atje nuk mund të qëndrojnë përgjithmonë. Tani është duke u afruar dimri dhe komuna posedon vetëm dy banesa.
Për shkaqe shëndetësore, njëra banesë është e paimagjinueshme për tu liruar, ndërsa në banesën tjetër, kryetari është duke menduar të vendosë një familje pesanëtarëshe shqiptare. Për tu realizuar kjo, qiramarrësja e banesës duhet të largohet nga banesa, pas 23 vitesh qëndrimi në te, pas disa konflikteve juridike që ka me komunën.
Nuk kanë pasur të ndalur reagimet ndaj kryetarit të komunës nga bashkëfshatarët e gjermanes, por ai ka vendosur që në banesë të sjellë familjen shqiptare, e cila momentalisht është duke banuar në një kontejner joadekuat për dimër. Për ta zgjidhur problemin në mënyrë paqësore, ai ka tentuar që qiramarrëses t`i gjejë një banesë tjetër. Por, gjermanja e ka refuzuar një ofertë të tillë, pasi banesat e ofruara ose kanë qenë shumë të vogla, ose shumë të shtrenjta.