14:05:35 2017-10-03
Zhytësit çekë kanë zbuluar nëndetësn U-16 në afërsi të brigjeve shqiptare të Adriatikut. Gjatë hulumtimeve të tyre në ujërat shqiptarë të Adriatikut, zhytësit çekë duket se kanë zbuluar mbeturina të një nëndetëse të marinës austro-hungareze. Se a bëhet fjalë për nëndetësen U-16 në fjalë, siç dyshojnë ekspertët, do të dëshmohet pas një zhytje tjetër në det.
Nëndetësja austriake ishte përmbysur më 17 tetor të vitit 1916, pas një përplasje me anijen italiane „Nembo“ dhe pas një sulmi shtesë të anijes luftarake italiane „Bormida“. Prapëseprapë, rrethanat e përmbysjes së nëndetëses austro-hungareze, deri më sot kanë ngelur të paqarta. Nga ana tjetër, mbetet i pamohueshëm fakti se gjatë kësaj, njëmbëdhjetë marinarë austro-hungarezë e kanë humbur jetën, në mesin e të cilëve edhe Komandanti Orest Ritter von Zopa. Dy marinarë kanë arritur t`i shpëtojnë përmbysjes. Në një thellësi prej 60 metrash, zhytësit kanë shkrepur foto dhe kanë incizuar video të nëndetëses e cila gjendet në thellësi prej 60 metrash, shkruan „Der Standard“, përcjellë „shtegu.com“. Pas krahasimit me disa foto historike si dhe planin e arkivit, zhytësit kanë ardhur në përfundim se bëhet fjalë për nëndetësen U-16, pohojnë anëtarët e „Czech Diving Teams“. Me këtë rast, gjithashtu mendohet të jenë gjetur edhe mbeturina të anijes „Nembo“. „Me siguri se atje gjenden dy mjete lundrimi“, deklaron një anëtar i ekipit zhytës. Hulumtimet janë realizuar pas negociatave të gjata me autoritetet shqiptare. Nëndetësja U-16 ishte ndërtuar në vitin 1915, për të mbrojtur kufinjtë e Mbretërisë austro-hungareze dhe për të sulmuar anijet e armiqve të saj. Misionin e saj të parë, nëndetësja 28 metra e gjatë e filloi më 6 tetor 1915. Në vijim, ajo u slumua dy herë pa sukses nga një luftarake franceze, ndërsa kishte përmbysur gjithsej dy anije të armiqve.



