Qeni me nofkën „Çemal“ arreston dy shqiptarë

69 Lexime

16:36:57               2017-10-03

 

 

 

 

Mëngjesin e së dielës, në Grosshadern të Mynihut, një person nga Kosova dhe një tjetër nga Shqipëria janë futur në një zyrë për të plaçkitur, por qeni policor me nofkën „Çemal“ i ka zbuluar dhe policëve u ka mundësuar që t`i arrestojnë.

 

Sipas informatave policore, mëngjesin e së dielës rreth orës 03.55, dy plaçkitës të dyshuar kanë hyrë në një zyrë përmes dritares, në rrugën „Fürstenrieder Strasse“. Banorët, të cilët e kanë dëgjuar zhurmën, menjëherë e kanë alarmuar policinë e cila për kohë të shkurtër ka arritur në vendin e ngjarjes, shkruan „Tageszeitung“, përcjellë „Shtegu.com“. Në vendngjarje edhe më tej kanë qenë të pranishëm kosovari dhe shqiptari, që të dy 28-vjeçarë.

 

Plaçkitësit disa herë janë urdhëruar që të dorëzohen, por ata nuk kanë reaguar fare. Me këtë rast është aktivizuar qeni policor me nofkën „Çemal“, i cili ka arritur t`i bllokojë autorët. Bile njërin nga ta e kishte kafshuar në krahun e djathtë.

 

Pas arrestimit të dy autorëve të dyshuar dhe përkujdesjes mjekësore ndaj të lënduarit, që të dy janë dërguar në paraburgim. Hetimet ndaj tyre do të vazhdojnë deri në ndriçimin e plotë të rastit.