Paralajmërim austriak i udhëtimit për Ballkanin Perëndimor
Frika nga një valë e dytë e koronavirusit është e madhe. Kjo është arsyeja përse qeveria austriake tani duket se po ndërmerr hapat e parë për të parandaluar më të keqen.
Qeveria austriake gjelbër-bruz është duke i dekurajuar fuqimisht njerëzit që verën e tyre ta kalojnë në Ballkanin Perëndimor. Konkretisht, nga e mërkura do të ketë paralajmërime udhëtimi për Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Kështu ka raportuar gaezta austriake “Die Presse“ në numrin e së mërkurës, transmeton Shtegu.com.
Kjo masë ka për qëllim të parandalojë migrantët në Austri nga udhëtimi në vendin e tyre, që rrënjët e tyre i kanë në Ballkan. Ditëve të fundit, numri i rasteve të koronavirusit në këto vende është rritur ndjeshëm. Gjithnjë e më shumë persona të infektuar po konfirmohen gjithashtu në Kroaci. Por këtu me siguri se duhet pritur pak më gjatë.
Për situatën në përgjithësi ndryshon shumë pak. Sepse edhe tani zbatohet një karantinë e detyrueshme 14-ditore ose paraqitja e një testi negativ të koronavirusit, nëse hyni nga këto vende. Sidoqoftë, detaje më konkrete me siguri do të gjenden vetëm në konferencën për shtyp të mërkurën. Ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg (ÖVP) ka njoftuar se do të sigurojë informacione mbi „lirinë e udhëtimit“. Ministri i Shëndetësisë Rudolf Anschober (të Gjelbrit), ministri i Brendshëm Karl Nehammer dhe ministrja e Integrimit Susanne Raab (të dy ÖVP), gjithashtu do të jenë të pranishëm.