Një kallashnikov në Shqipëri për 150 euro
17:01:00 2016-01-26
Një rrjedhë e frikshme e ngjarjeve: Kërkesa për tu armatosur është në rritje e sipër, në ndërkohë çmimet në tregun e zi janë në rënie. Për shembull, një granatë dore kushton më pak se 15 euro. Një kallashnikov në Europë kushton rreth 350 euro, ndërsa në Shqipëri vetëm 150 euro.
„Në tregun e zi po zhvillohet një luftë e vërtetë rreth çmimit të armëve“, deklaron për „Focus Online“ eksperti gjerman i armëve dhe terrorizmit, David Schiller, njofton „Shtegu.com“. Ai është duke udhëhequr shoqatën „Prolegal“, shoqatë e cila me vite të tëra është duke u angazhuar për liberalizimin e të drejtës së armatimit në Gjermani. „Biznesi jashtligjor është duke lulëzuar“, ka pohuar Schiller.
Në vitin 2014, autoritetet në Gjermani kanë konfiskuar më tepër se 7.800 armë zjarri. Në dhjetor të vitit të kaluar, 165.000 armë ishin regjistruara si të kërkuara. Por, jo vetëm kriminelët që janë pajisur me armë nga tregjet ilegale: Gjithnjë e më tepër persona privatë dëshirojnë ta mbrojnë pasurinë e tyre nga frika e plaçkitësve dhe sulmeve eventuale.
Në Gjermani, në qarkullim janë rreth 20 milionë armë ilegale. Arsyeja sipas Schiller është: „Një pjesë e madhe e tyre vijnë nga ish Jugosllavia. Pas përfundimit të luftës qytetare, askush nuk ka bërë përpjekje që këto armë të tërhiqen nga qarkullimi“.
Tani, Komisioni i BE-së, do të marrë masa të duhura për armatimin ilegal: Me një rregullore të re do të frenohet online armatimi. Armët e zjarrit do të regjistrohen dhe do të ketë rregulla më të rrepta për blerjen e tyre.