Në Zvicër arrestohet reperja shqiptare Loredana Zefi
12:03:05 2019-05-08
Policia kantonale e Lucernit, të martën në mbrëmje ka arrestuar yllin shqiptar në Instagram, Loredana Zefi, në një apartament në qytetin e Lucernit dhe bëri bastisje në shtëpi, raporton „20 Minuten“. Simon Kopp, zëdhënës i prokurorisë, ngjarjen e ka konfirmuar: „Zyra e prokurorit publik në Lucern ka nisur një hetim përdyshume të mashtrimit“. Deri më tani nuk është bërë bisedë policore dhe vlen prezumimi i pafajësisë.
Por, çfarë dyshimesh janë akuzat ndaj reperes dhe yllit shqiptar në Instagram, Loredana Zefi? Së bashku me vëllain e saj më të moshuar, ajo dyshohet se ka mashtruar një çift nga Valais për 900,000 franga zvicerane, përcjell Shtegu.com. Fillimisht, gruaja nga Valisi e kishte takuar një person në internet, të cilit në shtator 2016, ajo ia huazoi 87,000 franga për një operacion të supozuar të nënës së tij të sëmurë.
Por, asaj nuk iu kthyen të hollat, ndërsa i është paraqitur një grua e re. Ajo ka pretenduar se është një avokate dhe i ofroi që të hollat t`i kthente prapa me mjete ligjore. Brenda disa muajve, kjo avokate çiftin e kishte „lehtësuar“ edhe për 700,000 franga. Çifti ishte futur në borxh tek miqtë dhe të afërmit. Në një deklaratë për „20 Minuten“, çifti ka pohuar se ishte mashtruar, shantazhuar, detyruar e kërcënuar.
Sipas hulumtimeve të „20 Minuten“, avokatja e re është Loredana Zefi. Ajo është motra e të njohurit përmes internetit me zviceranen. Në korrik 2018, zviceranja e tradhëtuar paraqiti një ankesë kundër Loredanës dhe vëllait të saj në policinë në Brig, përcjell Shtegu.com. Kundër vëllait të saj nuk do të hetohet, pasi Prokuroria e Valisit e ka hedhur poshtë ankesën kundër tij, sepse pagesa për të ishte bërë vullnetarisht dhe zviceranja i kishte injoruar masat më themelore parandaluese.
Reperja 23-vjeçare shqiptare Loredana, ka mbi 1.3 milionë ndjekës në Instagram. Hit i saj „Syze dielli“ ka arritur mbi 44 milionë shikime në Youtube. Ajo jeton në Lucern me bashkëshortin e saj, reperin kosovar „Mozzik“.