Pothuajse një në pesë persona në Zvicër ka një pasaportë zvicerane dhe një tjetër të huaj. Gjeneva udhëheq në këtë fenomen me një në dy qytetarë, shkruajnë mediat zvicerane.
Në vitin 2018, 18 për qind e personave të moshës 15 vjeçare e më shumë që jetojnë në Zvicër kishin kombësi të dyfishtë, sipas shifrave të Zyrës Federale të Statistikave (FSO) të botuar të enjten. Përqindja e personave me kombësi të dyfishtë është më e larta në kantonin e Gjenevës (46 për qind), informon Shtegu.com.
Shkalla tejkalon 20 përqindëshin në kantonet e Cyrihut, Bazel, Tiçino, Vaud dhe Neuchâtel. Kantonet me pjesën më të ulët të banorëve me një pasaportë të dytë (përveç asaj me një kryq të bardhë) janë ato të Uri, Obwalden, Nidwalden dhe Appenzell Innerrhoden, ku vlerat nuk tejkalojnë 10 për qind.
Në mesin e popullatës me një pasaportë të dytë, 65 për qind e fituan shtetësinë zvicerane me natyralizim, ndërsa 35 për qind e morën atë gjatë lindjes. Nacionaliteti i dytë më i përfaqësuar është kombësia italiane (24 për qind), e ndjekur nga francezët (12 për qind) dhe gjermanët (9 për qind).

