LAJME

Në Kumanovë edhe më tej mbisundojnë frika, pikëllimi dhe pafuqia

34 Lexime

 

Foto: Adelheid Wölfli – Asim Ibrahimi para shtëpisë së tij të shkatërruar në Kumanovë. Edhe ai nuk e di përse në të vërtetë u luftua në qytet

 
Adelheid Wölfli nga Kumanova (Der Standart)
Të shtënat me armë gjatë fundjavës në qytetin e Maqedonisë Veriore, prapa vetes lanë një popullatë të traumatizuar. Akuzat se Qeveria me këtë aksion ka dashur t`i devijojë skandalet, janë gjithnjë e më të zhurmshme

Besar M. edhe më tej dridhet. „Pasi i dëgjova krismat të shtunën rreth orës pesë të mëngjesit, dola në dritare dhe shikova jashtë. Ushtarët nëpër autoblinda më panë dhe filluan të shtien në mua“, rrëfen 72-vjeçari për „Der Standart“. Pas kësaj, ai mbështetet për muri. „Zoti më ndihmoi“, vazhdon ai, „përndryshe do të isha i vdekur“. Familja e tij jeton në qendër të lagjes së Kumanovës, në të cilën forcat e sigurisë të shtunën dhe të dielën zhvilluan luftimet. „Ne nuk jemi ore terrorista. Përse ata nuk na evakuuan neve? Përse popullatën civile nuk e zhvendosën?“, pyet vajza e tij 20-vjeçare, familja e së cilës nuk ka besim ta tregojë emrin e saj. Vrimat e plumbave dëshmojnë se dikush ka shtënë ndaj një familje të pafajshme. Zonja M. pohon: „Lehtë e keni ju, e keni pa vetëm në foto, por ne i kemi fotot në kokë“.
Në Kumanovë nuk është parë asnjë terrorist apo kriminel me të cilin kanë luftuar forcat e sigurisë. Sipas dëshmive të njerëzve nga vendi i ngjarjes, bëhej fjalë për policë dhe ushtarë në tri uniforma të ndryshme. Askush ende nuk e di nëse ka pasur viktima civilë. Familja M. katëranëtarëshe, me orë të tëra ishte fshehur në shtëpi, ndërsa shtëpia e fqinjit ishte rrënuar. Aty kishin jetuar vëllezërit Ibrahimi, prej të cilëve njëri kishte jetuar për 20 vite në Zvicër. Shtëpia sapo i kishte mbushur dy vite që ishte rregulluar. Por, tani gjithkah shiheshin vetëm vrima të plumbave e granatave. Askush nuk e ka të qartë se kush ka luftuar këtu. Shumica janë të mendimit se bëhet fjalë për njerëz të paguar.
Që nga aksioni policor kundër një grupi kriminelësh në Kumanovë, gjatë të cilit u vranë tetë policë dhe 37 u lënduan, pasiguria në Maqedoni është rritur dukshëm. Aksioni policor është cilësuar si përpjekje dhe konstruim i një armiku të jashtëm i Qeverisë që ta shpëtojë lëkurën e saj, për tu dëshmuar si shpëtimtar i vendit. Por këto tregime të Qeverisë, maqedonasit nuk i blejnë më. Edhe shtetet perëndimore e kanë vlerësuar rastin me distancë. Në një deklaratë shumë të qartë të ambasadorit amerikan, Jess Bailey gjatë të hënës, ai kërkon që të mos përsëriten skena të tilla, ndërsa përkrahje ka edhe nga diplomatët e shteteve më të rëndësishme të BE-së. Në BE janë të mendimit që të mos vazhdojnë më negociatat për antarësim, e kjo për regjimin nuk luan shumë rol. Tashmë disa vite, Maqedonia nuk ka ndërmarrë asgjë për t`i vazhduar reformat e kërkuara.