Milioneri zviceran me njëqind mijë franga në veturë, por pa benzinë
19:28:10 2016-01-24
Policia zvicerane kishte gjetur një veturë të lënë në autostradë, me njëqind mijë franga zvicerane brenda në te. Vozitësi 31-vjeçar ishte larguar për të blerë benzinë.
Mesditën e së premtes, një patrullë policore e kishte vërejtur një veturë të parkuar në autostradën zvicerane në afërsi të St. Gallenit. Sipas zëdhënësit të policisë Hanspeter Krüsi, vetura është kontrolluar dhe është vërtetuar se ajo nuk ka pasur persona përbrenda. Duke dashur të hetojnë nëse vetura është e mbyllur, policët kanë gjetur një zarf të hapur me 100 mijë franga zvicerane brenda, shkruan „20 Minuten“, njofton „Shtegu.com“. Pasi policia kishte gjetur të hollat, mendja u kishte shkuar se mund të bëhej fjalë për ndonjë plaçkitje. Menjëherë është thirrë edhe një patrullë tjetër policore për përforcim. Kjo e fundit, kishte mundur ta gjejë personin disa qindra metra larg vendngjarjes. Personi 31-vjeçar ka qenë i veshur në mënyrë shumë modeste, ndërsa është kontrolluar nga policia.
Ai ka konfirmuar se vetura është pronë e tij dhe është nisur në korsinë emergjente në këmbë, për të blerë benzinë. Hetimet e mëtutjeshme kanë dëshmuar se 31-vjeçari ka trashëguar 70 deri 90 milionë franga pasuri, ndërsa shuma prej 100 mijë frangave në veturë, i ishte dhënë në një byro të trashëgimisë.
Pas pyetjes së policëve përse ai vozitë një veturë kaq modeste dhe jo një veturë të shtrenjtë, 31-vjeçari është përgjigjur: „Vlerat materiale për mua nuk janë aq të rëndësishme“. Më në fund, policia i kishte ndihmuar që të vazhdojë udhëtimin, duke i siguruar benzinë rezervë, ndërsa për shërbimin e policisë dhe dënimin për mungesë të benzinës, ai do ta paguajë me ndonjë „shumë të vogël“ parash.