Rrahja e Fatlumit ngjanë në hakmarrje ndaj babait të tij

67 Lexime

02:26:30            2016-01-25

 

 

 

Rasti i vogëlushit dymbëdhjetëvjeçar shqiptar Fatlum J. nga Walenstadti i Zvicrës, ka tronditur opinion në këtë vend alpik: Gjatë pauzës shkollore, ai ishte rrahur nga pesë deri gjashtë zviceranë, nxënës të shkollës së mesme (të moshës 15-, deri 16-vjeçare), duke qenë i detyruar të shtrohet në spital për shërim të mëtutjeshëm.

 
Babai i vogëlushit, Faik J. (33) dyshon se djali i tij është rrahur pasi është një i huaj. Ai, personalisht është ballafaquar me ushtrimin e dhunës, pasi ai më herët ka qenë i njohur në shkollë për dhunë, shkruan „Blick“, njofton „Shtegu.com“. „Djali im nuk duhet të marrë shembull tek unë“, ka deklaruar babai Faiku, i zhytur në mendime. Në verë të vitit 1997, bile edhe „Blck“ kishte raportuar për orgjitë e dhunës të 14-vjeçarit të atëhershëm.

 

 

Titulli i atëhershëm në „Blick“ ka qenë: „E gjithë shkolla në grevë: Hidheni dhunuesin jashtë“. 330 nxënës të shkollës së mesme në Feld­acker të Melsit, kishin protestuar ndaj tij. Një nxënës kishte deklaruar: „Faiku nuk është aq i madh dhe i fuqishëm. Por, ai mendon se është më i fuqishmi dhe çdokush duhet të luajë vallen ashtu siç e udhëheq ai. Ai gjithashtu është i armatosur me zingjirë, thikë e armë të tjera të ftohta“. Asaj kohe, një shok i Faikut e kishte kërcënuar reporterin e „Blick“ me fjalët: „Po që se Faiku përjashtohet nga shkolla, ti nesër do të jesh i vdekur“.

 

 

Pothuajse njëzet vite më vonë, historia po përsëritet. Kësaj radhe, familja J. nuk është në rolin e kryerësit të veprës, por në rolin e viktimës. Babai Faiku ka konfirmuar: „Po, është e vërtetë se artikulli i 1997 ka të bëjë me mua. Nuk i kisha ende dy-tri vite që kisha ardhur në Zvicër. Hiperaktiv dhe brutalisht impulsiv“. Më tej, ai ka pohuar: „Kjo periudhë e jetës më ka ngarkuar psikikisht kohë të gjatë, deri në ditët e sotme“. Kur filloi të rrëfejë rastin e Fatlumit në opinion, ai kishte llogaritur në komente cinike për shkak të së kaluarës së tij: „Mu e kaluara ime e dhunshme është arsyeja përse kam reaguar për sulmin që i është bërë fëmijës tim“.

 
Faikut i është dashur kohë e gjatë përderisa ka dalë përsëri në binarë të duhur. Pas problemeve në shkollë, filluan problemet me policinë, pjesërisht edhe për shkak të ushtrimit masiv të dhunës. Përpos kësaj, lindën problemet edhe me lëndë narkotike. „Tash e rreth dhjetë vite, unë nuk kam marrë ndonjë aktakuzë për ushtrim të dhunës në Zvicër. Dhe tash e shtatë vite jam larguar nga droga“, pohon Faiku. Të hënën, vogëlushi Fatlum J. do të vijojë përsëri mësimin. Shpresa e babait është: „Ai nuk duhet të dënohet si hakmarrje për veprat e vjetra 20-vjeçare të babait“, përfundon Faik J.