Michigan: Maqedonasi therë për vdekje bashkëkombasin
18:28:13 2017-09-23
Maqedonasi njëzetedyvjeçar është akuzuar se ka vrarë bashkëbanuesin e vet me thikë në SHBA. Sipas medieve amerikane, shtetasi maqedonas Jovica Nikollovski, më 9 shtator të këtij viti e kja vrarë bashkëbanuesin e vet Spase Grazhdani në Westland të Michigan-it.
Policia e ka zbuluar kufomën e Grazhdanit me disa plagë nga thika. Sipas hetimeve, pas një zënke mes tyre, Nikollovski e ka therë me thikë Grazhdanin heret në mëngjes, ka bërë një dush dhe për disa orë ka dalë nga banesa. Rreth mesditës, ai është kthyer në banesë dhe e ka thirrë policinë.
Për këtë vrasje të shkallës së parë, Nikollovski mund të ballafaqohet me burgim të përjetshëm, ndërsa tani gjendet në burg, pa mundësi kaucioni, shkruajnë mediet amerikane, përcjellë „Shtegu.com“.
Para Gjykatës, Nikollovski është paraqitur para dhjetë ditësh, ndërsa do të kthehet sërish në tetor, pasi avokati i tij t`i grumbullojë të gjitha dokumentet dhe informatat që i përkasin rastit.