Mërgimtari heq të zinjtë e ullirit për një letërnjoftim në Maqedoni
20:27:31 2017-07-13
Në një postim të vetin në Facebook, një mërgimtar nga Kumanova ka postuar mllefin e tij me rastin e pajisjes nga autoritetet maqedonase me letërnjoftim, duke akuzuar rëndë qeverisjen e VMRO-BDI. Për më tepër, ja edhe postimi i plotë i tij:
Mbetjet e regjimit antishqiptar VMRO-BDI dhe kalvari i mërgimtarit për tu pajisur me dokumente personale të Maqedonisë
Vëllai im Gazmend Fetai, shtetas i Maqedonisë, i lindur në Kumanovë dhe i pajisur më parë me dokumente personale të Maqedonisë shfrytëzoi pushimin ne vendlindje për të aplikuar për letërnjoftim të ri.
Në MPB, iu desh të nxirrte çertifikatën e lindjes si zakonshëm kur edhe mësoi se emri i tij është futur në një regjistër për qytetarë të dorës së dytë, atë të mërgimtarëve.
Por risia e sistemit të diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve të instaluar nga regjimi një dekadësh VMRO-BDI në gjendjen civile ishte se atij iu desh:
– Të plotësonte një formular ku deklarohej se pse i nevojitet letërnjoftimi i Maqedonisë, gjë që nënkupton se „by default“ mërgimtarëve nuk u takojnë dokumentet personale;
– Të sillte një vërtetim të noterizuar pronësie për pasurinë familjare në Maqedoni, bashkë me një deklaratë nga prindi sipas së cilës është trashëgimtar ligjor i tij – gjë kjo që shtron pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse prindi nuk do kishte pronë në Maqedoni apo nëse nuk do të njihte fëmiun si trashëgimtar;
– Të priste vizitën e policit në shtëpi për të vërtetuar se ai efektivisht jeton në shtëpinë e tij.
Natyrisht polici vonohet dhe tërheqja e letërnjoftimit lejohet vetëm në person nga aplikuesi, që do të thotë se Gazmendi nuk do të pajiset me letërnjoftimin e tij para verës 2018, në rastin më të mirë.
Arsyet e këtij diskriminimi antishqiptar i dimë të gjithë – dekurajimi i mërgimtarëve shqiptarë dhe heqja e tyre përfundimtare nga regjistri i popullsisë për të sllavizuar dhe më tej këtë kuazi shtet. E pse BDI ka lejuar, me siguri edhe ka votuar një ligj të tillë, këtë gjë e dinë vetëm ata.
Tani i takon LR PDSH-së / Aleancës si e vetmja shpresë për një trajtim të dinjitetshëm dhe të barabartë të shqiptarëve në përgjithësi dhe të mërgimtarëve në veçanti që, ndër qindra probleme të tilla të trashëguara nga regjimi antishqiptar, të çbëjë edhe këtë mbetje shumë të dëmshme të qeverisjes VMRO-BDI.
Edit: „Reshenie“ në maqedonisht natyrisht. (Shtegu.com)