KOHA: Shqiptarët e mërgimit, oaza të shkëputura nga trungu

98 Lexime

22:28:01                    2017-07-11

 

 

 

 

Poeti i famshëm kosovar, Ali Podrimja, në një vjershë kushtuar Jeronim de Radës shtron pyetjen se çfarë do të bëhet me arbëreshin kur të asfaltohen rrugët e fshatit e këta të lidhen me pjesën tjetër të botës dhe kur të ndërtohen fabrika, ku do të punojnë edhe familjet arbëreshe? Kuptohet përdorimi i gjuhës shqipe do të tkurret shumë dhe do të shkojë drejt zhdukjes, siç e kanë zhdukur arbneshët e Zarës, ata të Odesës e të Edrenesë (fshatrat e vendlindjes së Fan S. Nolit), mandej familjet e tjera shqiptare që janë vendosur në Turqi e në shtetet e tjera arabe, si dhe te një pjesë e atyre tejoqeanikë

 

 

 

Delvina KËRLUKU

Zeqirja Neziri ka lindur me 10 qershor 1952 në fshatin Lluçan, Komuna e Bujanocit në Serbi. Në fshatin e lindjes dhe në Tërnoc të Bujanocit ka mbaruar shkollën fillore. Shkollën e mesme në Prishtinë dhe në Gjimnazin e Preshevës. Studimet në fushën e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare i ka bërë në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Universitetit të Shkupit, si student i gjeneratës së parë të studentëve të këtij institucioni. Studimet pasuniversitare (të magjistraturës, 1981; dhe të doktoratit 1992) i ka mbaruar në Universitetin e Zagrebit. Një pjesë e doktoratit është botuar në Zagreb me titullin “Hrvati o Albancima” (1993).

Pas mbarimit të studimeve (1975) dy vjet ka punuar në shkollat e mesme të Shkupit. Nga 1 tetori i vitit 1977 është në marrëdhënie të pandërprerë pune në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë ‘Blazhe Koneski’ të Universitetit të Shkupit. Ka kaluar nëpër të gjithë titujt arsimorë të jetës akademike (asistent i ri, asistent, ligjërues, docent, profesor inordinar dhe profesor). Mund të thuhet se paralelisht me rritën dhe formimin e Katedrës, ka qenë bashkudhëtar i saj, është formuar profesionalisht dhe ka ndërtuar karrierën si pedagog dhe si studiues i letërsisë shqipe. Nga viti 2006 e në vijim, si kryetar i Degës së Maqedonisë është anëtar i Bordit të Institutit Alb-Shkenca. Instituti Alb-Shkenca është organizatë shkencore joqeveritare mbarëkombëtare që tubon studiues shqiptarë dhe jo vetëm, të përfshirë nëpër institucione hulumtuese kërkimore shkencore dhe në universitete si në trojet etnike, ashtu edhe në mërgim, kudo në Botë. Ka tri degë gjeografike, në: Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Takimet mbahen një herë në vit, në njërën nga zyrat gjeografike. Sivjet mbahet Takimi XII në Prishtinë. Instituti ka publikimet e veta: AKTET, ANASH dhe ANAS. Dy janë fushat kryesore të interesimit të tij shkencor: letërsia gojore shqiptare dhe letërsia shqiptare nga fillimet deri te Rilindja Kombëtare, përfshirë edhe romantizmin arbëresh. Nga këto fusha ka mbajtur leksione me studentët dhe ka botuar dispensat: Historia e letërsisë shqiptare I (1997), Letërsia gojore shqiptare I (1998), Epika gojore shqiptare (2010), Lirika gojore shqiptare (2015), si dhe përmbledhja e studimeve Studime mbi epikën gojore shqiptare (2017). Krahas librave mësimorë ka botuar edhe tri studime monografike: Poezia e Budit (1995), Meshari i Buzukut (2006) dhe Vjershërimi i Varibobës (2008).

KOHA: Jeni profesor në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqiptare, pranë Fakultetit të Filologjisë, veçanërisht e madhe ka qenë puna e bërë nga dega e gjuhës dhe e letërsisë shqipe, pranë së cilës kanë studiuar dhe janë diplomuar shumë studentë…

NEZIRI: Ndihmesa e Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqiptare dhënë arsimimit universitar shqiptar është shumë e madhe. Ajo duke qenë institucioni i vetëm i arsimimit të lartë të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, për gati më shumë se një gjysmëshekulli ka bartur barrën kryesore të përgatitjes e të pajisjes me dije dhe njohuri universitare, kryesisht të shqiptarëve të Maqedonisë, por jo vetëm, sepse në bankat e saj kanë studiuar edhe studentë nga Kosova, Mali i Zi e Serbia Jugore. Ka luajtur një rol të rëndësishëm në arsimimin e brezave, pajisjen me njohuri jo vetëm të ruajtjes e kultivimit të kulturës gjuhësore e letrare shqiptare, si dhe të praktikimit të tyre në jetën arsimore, por edhe me njohuri të përgjithshme të kulturës historike kombëtare të nevojshme për mësuesit e gjuhës e të letërsisë shqiptare. Kjo e dhënë fiton peshë më të madhe kur kihet parasysh e dhëna se në shkollat parauniversitare të Maqedonisë, deri në vitet e nëntëdhjeta të shekullit që lamë prapa përfitimi i njohurive të kulturës e të historisë kombëtare shqiptare ka qenë shumë i margjinalizuar dhe shumë i vakët.

KOHA: Sot shohim se kemi studentë të kombësive të tjera, jo shqiptare, që studiojnë gjuhën shqipe dhe shpesh na rastis t’i pyesim: pse gjuhën shqipe? Në fakt, Ju si profesor, ç‘mendim keni për të huajt që studiojnë gjuhën tonë?

NEZIRI: Studimin e gjuhës shqipe nga studentët jo shqiptarë nuk duhet ta perceptojmë në kuptim shumë të ngushtë e pezhorativ, të mos themi politik, sepse duke u njohur me gjuhën dhe kulturën shqiptare, këta studentë bëhen bartës të këtyre njohurive në mjedisin prej nga vijnë. Kështu, ata ndihmojnë të ndryshohet botëkuptimi i perceptimit të tjetrit, në rastin konkret të shqiptarëve dhe, analogjikisht të përmbysen shumë pikëpamje stereotipa, ndonjëherë edhe tendencioze për shqiptarët dhe kulturën e tyre, në përgjithësi. Parë nga ky kontekst nuk ka asgjë të keqe dhe kjo dukuri nuk është diçka e re.

Dua të nënvizoj se tradita e studimit të gjuhës dhe të letërsisë shqiptare nga studentë joshqiptarë, është 20 vjet më e hershme se viti 1971, kur themelohet Katedra. Ajo në kohë shtyhet deri në vitin 1952, kur pas shtatë vjetësh të parashtrimit të kërkesës për mësimin e gjuhës shqipe në këtë universitet, nisë të punojë Lektorati i Gjuhës Shqipe. Mirëpo, do përmendur se deri në vitin 1971 numri i këtyre studentëve ka qenë shumë i kufizuar, që pas viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar të rritet dukshëm.

KOHA: sa është i interesuar brezi i ri që të studiojë gjuhën dhe letërsinë në këtë Katedër?

NEZIRI: Prej themelimit të Katedrës, në vitin 1971 e deri sot interesimi për studime të gjuhës e të letërsisë shqiptare gjithmonë ka qenë i madh dhe është përcjellë me interes të veçantë. Numri i studentëve të diplomuar në këtë Katedër qyshkur ka kaluar në numërimin katërshifror, domethënë i afrohet dymijëshit. Edhe më herët, si dhe sot shpesh nuk kemi qenë në gjendje t’i përmbushim kërkesat e të rinjve.

KOHA: Profesor, edhe Ju keni qenë në bankat shkollore. Si i kujtoni vitet e shkollimit, në çfarë barriera keni ecur?

NEZIRI: Me këtë pyetje shumë interesante më kthen prapa në kohë për më shumë se dyzetë vjet. Përgjigja është e thjeshtë: nuk mund të gjenden kurrfarë mjetesh me të cilat mund të krahasohen të dyja këto periudha të jetës. Çka të kujtojmë më parë? Në shkollën e mesme, në ato kohëra ndihej një mungesë shumë e madhe e librave mësimorë. Jeta në bankat shkollore parauniversitare dhe universitare, në kujtesën e njeriut mbetet njëra nga periudhat më të rëndësishme, sepse paraqet momentet më mbresëlënëse e më të lumtura, por edhe vendimtare për jetën e tij në ardhmëri. Është koha e formimit dhe orientimit jetësor, koha e ndërtimit të personalitetit, si subjekt dhe e daljes në jetë të pavarur. Përveç kësaj këto momente, me të gjitha ngritjet dhe uljet e veta kanë bukurinë dhe kënaqësinë e tyre, që kurrë më nuk përsëriten. Janë të paharrueshme dhe gjithmonë kthehen të freskëta e të gjalla në kujtesë.

KOHA: Dhoma pa libra është sikur trupi pa shpirt. Si duket tavolina juaj e punës dhe ç‘shkruan lapsi juaj dhe ç‘flasin ato libra?

NEZIRI: Janë tri pyetje shumë sfiduese dhe tërheqëse. Ne që merremi me arsim dhe sidomos me studime në fushat e dijeve jo vetëm librin, por edhe lapsin e fletoren i kemi bashkudhëtarë të pandarë e besnikë gjatë gjithë jetës. Ato na shoqërojnë kudo: në jetën familjare, në mjedise shoqërore e në vende të punës, por dhe në udhëtime të gjata e në pushime të verës e të dimrit. Nuk mund të imagjinohet mbyllja e një dite 24-orëshe pa shfletuar diçka, të paktën i gazetave ditore dhe nënvizimin e ndonjë pjese ose mbajtjen e ndonjë shënimi. Libri, bashkë me të edhe lapsi e fletorja e shënimeve, kështu shndërrohen në një nevojë të domosdoshme jetësore. Këtu e gjen shpjegimin edhe aforizma jote shumë e qëlluar. Tavolina jonë e punës përherë është e ngarkuar me lloj-lloj librash e fletësh letre me shënime për ndonjë libër ose për ndonjë çështje tjetër.

KOHA: Mund të na jepni një opinion se sa lirshëm flitet gjuha shqipe sot me 7 milionë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Perëndimore, në pjesët jugore të Malit të Zi dhe në Luginën e Preshevës. Dialektet arvanite në Greqinë veriore konsiderohen pothuajse gjuhë e vdekur, ndërkohë që variante të shqipes fliten në Italinë Jugore, më saktësisht në Sicili dhe Kalabri, në Zarë të Dalmacisë (Kroaci), në disa fshatra të Ukrainës dhe në Mandricë të Bullgarisë, në Turqi e në shtetet e tjera arabe, si dhe në shtetet tejoqeanike?

NEZIRI: Në aspektin e të folurit lirshëm të gjuhës shqipe midis pjesës së shqiptarëve që jetojnë në trojet etnike dhe atyre që jetojnë në mërgim, ekziston një dallim i madh. Gjuha shqipe te të gjithë, brenda familjes flitet lirshëm dhe pa pengesa. Mirëpo, përderisa shqiptarët në trojet etnike atë e përdorin edhe në jetën publike, gjuha e tyre dallon prej gjuhës së atyre që jetojnë në mërgim (pa dallim në e përdorin apo jo edhe në jetën publike). Shqiptarët në trojet etnike janë të shpërndarë nëpër pesë (gjashtë) shtete, por janë në vijimësi dhe i ndanë vetëm vija kufitare ndërshtetërore. Ndërkaq shqiptarët e mërgimit, kudo qofshin jetojnë në oaza të shkëputura nga trungu dhe me bashkatdhetarët nuk kanë lidhshmëri të pashkëputur territoriale. Në këtë kontekst gjuha e tyre, pavarësisht se sa flitet e përdoret në formën e shkruar apo të folur, pëson ndikime nga gjuha me të cilën kanë pikëtakime.

Krenohemi kur themi se arbëreshët e Italisë, për dallim prej të tjerëve deri në shekullin e 20-të e kanë ruajtur dhe akoma në shekullin e 21-të, nëpër disa familje ruhet gjuha shqipe. Por nuk shtrohet pyetja si? Përgjigjja është e thjeshtë: vendbanimet e arbëreshëve të Italisë në Sicili e Kalabri, deri në shekullin XX kanë qenë vendet më të lëna pasdore dhe më të varfra të Italisë. Në një farë mënyre ata kanë qenë krejtësisht të izoluar nga bota italiane. Poeti i famshëm kosovar, Ali Podrimja, në një vjershë kushtuar Jeronim de Radës shtron pyetjen se çfarë do të bëhet me arbëreshin kur të asfaltohen rrugët e fshatit e këta të lidhen me pjesën tjetër të botës dhe kur të ndërtohen fabrika, ku do të punojnë edhe familjet arbëreshe?

Kuptohet përdorimi i gjuhës shqipe do të tkurret shumë dhe do të shkojë drejt zhdukjes, siç e kanë zhdukur arbneshët e Zarës, ata të Odesës e të Edrenesë (fshatrat e vendlindjes së Fan S. Nolit), mandej familjet e tjera shqiptare që janë vendosur në Turqi e në shtetet e tjera arabe, si dhe te një pjesë e atyre tejoqeanikë.

Para disa javësh pashë në një emision në TVSH. Në të flitej për një familje të famshme durrësake, e cila në fund të shekullit XIII ishte vendosur në Xhenova të Italisë. Për disa shekuj kishte luajtur një rol të madh në jetën fisnike të aristokracisë jo vetëm xhenoviane, por edhe evropiane. Kjo familje në shekujt vijues deri në të 16-tin e të 17-tin ka ruajtur kujtimin e origjinës dhe mbiemrin: Durrësaku. Në vijim është ruajtur vetëm kujtesa e origjinës nga Durrësi.

Tek arbneshët e Zarës e të Italisë, si dhe në shumicën e shteteve evropiane e tejoqenike po bëhen përpjekje të kultivohet ndërgjegjësimi kombëtar përmes kultivimit të kulturës, të dashurisë ndaj gjuhës shqipe e origjinës kombëtare. Por, sa do të zgjasë ky proces është vështirë të jepet një përgjigje e kënaqshme. Është e kuptueshme: proceset shoqërore kanë ecurinë e tyre të natyrshme.

KOHA: Gjuha letrare është rezultat i një zhvillimi të gjatë historik, për të cilin kanë punuar breza të tërë – se ajo mbështetet gjerësisht në gjuhën e popullit, duke thithur prej saj çdo gjë të vlefshme. Zbatimi i saj në institucione dhe mediume është i vakët, si mendoni Ju?

NEZIRI: Është fakt i pamohueshëm se gjuha shqipe është ndërtuar mbi gurrën e pasur të gjuhës popullore të të gjitha krahinave dhe, si e tillë ka një histori shumë të gjatë mbi katërmijëvjeçare, kur, në dëshmitë arkeologjike e historike përmenden shqiptarët si etni.

Një dukuri është e saktë – në trojet etnike sot kemi tre standarde të gjuhës shqipe: një në Shqipëri, një në Kosovë dhe një në Maqedoni. Gjuha është jo vetëm mjet i shënjimit të sendeve midis njerëzve të një bashkësie, por edhe kategori identitare. Ajo është e gjallë dhe pandërprerë fut në përdorim mjete të reja me të cilat i percepton dhe i emërton sendet. Është e ditur se gjuha kombëtare nuk është pronë e ndonjë individi apo familjeje, mëhalle, fshati a krahine. Është gjuhë komunikimi e pjesëtarëve të një populli. Fondin e saj të përbashkët leksikor dhe strukturën gramatikore e përbëjnë të gjitha pjesët e tij.

Kohëve të fundit, në përdorimin praktik të gjuhës shqipe, përditë e më shumë ndeshemi me fjalë e konstruksione gjuhësore të gjuhëve të huaja, me të cilat folësit janë në kontakt të përditshëm. Marrim disa shembuj të emërtimit të institucioneve dhe të deformimit të disa strukturave gramatikore në mediat e Maqedonisë. Si shembull marrim mbishkrimet e tabelave të organeve të institucioneve të shtetit: Ministria për Bujqësi, për Shëndetësi, për Mirëqenie Sociale etj. Në të gjitha rastet përdorimi i parafjalës ‘për’ nuk është në natyrën e gjuhës shqipe, sepse shqipja këtë formë sintagmatike e bën me anë të rasës gjinore: Ministria e Bujqësisë, e Shëndetësisë, e Mirëqenies Sociale.

Pastaj mbiemri ‘i njëjtë‘, në media, me të madhe përdoret në vend të përemrit vetor, pronor ose dëftor: ‘ai’, ‘i tij’, ‘këtij’; apo të lidhëses ‘dhe’. Në lajme hasim në konstruksionin: “…telefonat celularë dhe të njëjtit i kanë..“ (lajme në TV: 04.07.2017), në vend të: “telefonat celularë ata i kanë“ dhe shumë shembuj të tjerë.

KOHA: Nëse ke një kopsht dhe një bibliotekë, atëherë ke gjithçka që të duhet. Por, sa e rëndësishme është familja?

NEZIRI: Familja është bashkudhëtari më besnik në jetën time. Babai, nëna, vëllezërit e motrat; gruaja, dy fëmijët dhe nipi gjithnjë kanë qëndruar dhe janë pranë meje. Janë pjesë përbërëse e të gjitha veprimtarive dhe momenteve të mija jetësore, qofshin këto të gëzuara e të lumtura, qofshin momente pikëllimi a dëshpërimi, përmallimi e dhimbjeje. Gjithmonë më kanë përkrahur, si në ngritjen dhe formimin profesional, ashtu edhe në ndërtimin e çerdhes sime jetësore. Familja është strofulla ku gjithmonë e kam mbështetur kokën, kam gjetur qetësinë, rehatinë dhe prehjen shpirtërore. Krenohem që i kam e që janë me mua, si në momente gëzimi, ashtu edhe hidhërimi.