Më në fund, Taulantit sërish i kthehet buzëqeshja rinore
19:26:17 2017-02-11
Një vizitë e shkurtër e Taulantit në Zvicër, ka qenë e mjaftueshme që të fillojë karriera e tij. Ai ishte vetëm 14-vjeçar kur e kishte vizituar të motrën më të moshuar në Bernë. Ajo banonte jo larg stadiumit „Stade de Suisse“ në një godinë, tash e disa vite, së bashku me bashkëshortin e saj.
Ky ishte një mik i mirë me Tanju Tiryaki, një legjendë e futbollit regjional të Bernës, i cili ishte i njohur për aftësitë e veta të jashtzakonshme të shënuesit. Tiryaki, një tifoz i flaktë i futbollit, i cili edhe sot e kësaj dite është shef i FC Könizit, kishte kuptuar se Taulant Seferi ka ardhur për vizitë në Zvicër. Spontanisht, ai e kishte ftuar mysafirin në një turne futbolli në Bethlehem.
Talenti shqiptar e kishte impresionuar me aftësitë dhe lojën e tij që i përngjante asaj të Lionel Messit. „Në dy ndeshjet e para, unë shënova 13 gola“, pohon Seferi për „Berner Zeitung“ njofton „Shtegu.com“. Tiryaki i mahnitur nga supertalenti, nuk ngurroi që të organizojë një ushtrim provë tek ekipi i njohur nga Liga e parë zvicerane, Young Boys (YB).
Kur Taulanti sërsih erdhi për një vizitë tek e motra, Tiryaki e angazhoi për juniorët e YB-së dhe një ndeshje miqësore kundër Kombëtares zvicerane të grupmoshës U-18, ai shënoi tre gola.
YB e fitoi ndeshjen me rezultat 3:2, duke i falënderuar Taulantit. Përgjegjësit e YB-së mbetën të mahnitur nga aftësitë e Taulantit, duke i ofruar menjëherë një vend në ekipin e parë. Edhe përkundër faktit se ai kërkohej nga disa klube të njohura europiane dhe ishte i angazhuar tek Rabotniçki i Shkupit, Taulanti vendosi që të bëhej pjesë e YB-së, më 01 janar 2015, disa ditë pas ditëlindjes së vet.
Paraprakisht, në muajin maj të 2014-ës ai debutoi në Kombëtaren e Maqedonisë si lojtari më i ri i të gjitha kohëve. Karriera e tij po rrjedhte si në ëndërra. Edhe fillimi në Bernë ishte i mrekullueshëm, ndërsa ai banonte tek e motra, mu afër stadiumit.
Me kontrbutin e tij të fortë në ushtrime, ai e bindi trajnerin e atëhershëm Uli Forte që ta angazhojë menjëherë në formacion në ndeshjen kampionale kundër ekipit Grasshoppers më 14 shkurt 2015, ndërsa pesë ditë më vonë, Taulanti ishte edhe në formacionin kundër ekipit anglez Everton, në ndeshjen e vlefshme për Ligën europiane. Por, papritmas, në sipërfaqe dolën probleme të paparashikueshme. Në gju filluan të ndjehen dhimbje të mëdha.
Një operacion i gjurit ishte i pashmangshëm nga fundi i muajit mars 2015. Taulantit iu dashtë të pauzojë për katër muaj të tërë, derisa e paralajmëroi kthimin tek ekipi i grupmoshave U-21. „Dhimbjet ende ishin të pranishme, bile tani edhe më të mëdha se para operacionit“, pohon Taulanti. Tashmë ishte e nevojshme edhe një pauzë tjetër, ndërsa operacioni dytë ishte i pashmangshëm. Se kur do të kthehej sërish në fushën e gjelbër, mbetej e paqartë.
Super talenti shqiptar me buzëqeshje të përhershme që i fascinoi zviceranët, u shndërrua në një tinejxher të pikëlluar. „Ishte një periudhë e vështirë, mentalisht ndjehesha shumë i dëshpëruar“, vazhdon më tej Taulanti duke spjeguar të kaluarën. E ëma e vet e kishte vizituar duke i dhënë përkrahje të madhe. Në këto momente të vështira pranë iu gjendën edhe e dashura dhe motra e vet. „Familja më ofroi përkrahjen e duhur, pa te do të vuaja edhe më tepër“.
Fizioterapeutët dhe bashkëpunëtorët përkujdeseshin për Taulantin si për më të dashurin e tyre. Vetëm gjatë tetorit të vitit të kaluar, ai mundi të angazhohet tek ekipi i grupmoshave U-21, të sulmojë, të driblojë, të dëshmojë anën e vet të fortë teknike, të shënojë gola dhe t`i vë në skenë bashkëlojtarët.
Taulanti luajti pesë ndeshje për këtë grupmoshë, pa ndonjë ankesë në lëndim. „Qëllimi im primar ishte që të ndeli me shëndet të mirë“. Në përgatitjet për ekipin e parë, përpos një gripi të vogël, gjithçka shkoi si është më së miri. „Po ndjehem shumë mirë. Është e papërshkrueshme që sërish të jem pjesë e ekipit të parë“, thotë Taulanti 20-vjeçar, i cili aktualisht banon në lagjen Ostermundigen të Bernës.
Taulantit sërish i është kthyer buzëqeshja, sytë i ndriçojnë kur rrëfen për angazhimin në fushën e gjelbër dhe bashkëlojtarët e vet. „Kemi futbollistë të shkëlqyeshëm. Unë mund të mësoj shumë nga konkurrentët e mi në pozitën e alos“, ka përfunduar Taulanti me një buzëqeshje të këndshme.