Martesa e detyrueshme e shqiptarëve nga Maqedonia nën llupën e medieve gjermane

43 Lexime

Shqiptari nga Maqedonia, Adem R. nga Mynihu, ka qenë i detyrueshëm të martohet me dhunë – Për shkak se familja e tij ishte këmbëngulëse, ai u zhdukë përnjëherë.

 

„Thjeshtë, dua ta kem jetën time personale“, ka deklaruar Adem R. Kjo punë nuk është shumë e thjeshtë, pasi prindërit e 21-vjeçarit e kishin detyruar atë të martohej me një të panjohur. Adem R. nuk kishte më tjetër rrugë, përpos se u largua nga familja e tij dhe aktualisht jeton në Hamburg, në një frikë të vazhdueshme për të mos u hetuar nga familja e tij.

 

Familja e Ademit vjen nga Maqedonia, ndërsa ai në Mynih është rritur që nga mosha e tij pesëvjeçare. Që në moshën 16-vjeçare, ai e kishte nuhatur planin e prindërve të tij, kur ata kishin dashur me te të udhëtojnë në Shkup, në kryeqytetin e vendlindjes së tij. „Do të bëjmë një pushim atje“, i kishin thënë si zakonisht.

 

Por, kësaj radhe ky ishte vetëm një pretekst: Vajza me të cilën ai atje është dashur ta kalojë kohën, ka qenë e paraparë të martohej me te. „Në fillim kisha frikë për të kundërshtuar“, rrëfen Ademi për „Merkur.de“ transmeton „Shtegu.com“. „Vetëm pas një kohe më erdhi vetëdija dhe fitova besim në vetvete për t`i thënë Jo kësaj martese“.

 

Por, prindërit e tij nuk ishin ndalur për ta bindur që të martohej, duke e marrë nëpër festa të shumta familjare nëpër Maqedoni. Ademi gjithnjë kishte kundërshtuar, pasi vajzat e ofruara nga Maqedonia kishin qenë të gjitha analfabete dhe sipas traditës është dashur të përkujdesen vetëm për amvisërinë dhe burrin. Një gjë të tillë, Ademi nuk e dëshiron: „Gjatë kësaj, për mua nuk luan rol se si duhet të duket vajza. Për mua është e pamundur të martohem me një vajzë me të cilën kam qëndruar vetëm disa orë“.

 

Ademi e do një grua nga Gjermania, një martesë në baza dashurie. Familja e tij nuk ka përdorur dhunë, as edhe armë për ta detyruar të martohet, por ajo përpiqej që ta detyrojë në mënyrë psikike. Thirrjet e vazhdueshme të familjarëve dhe ngacmimet e shumta që iu bënë, e detyruan Ademin që ta braktisë familjen e tij.

 

„Është një traditë me ç`rast të gjithë të afërmit e mi janë martuar në këtë mënyrë. Dhe, po që se prindërit e mi nuk arrijnë të më martojnë edhe mua në këtë mënyrë, ata do të jenë gazi i botës“, vazhdon i riu. Ademi dhe familja e tij janë myslimanë, por feja nuk është arsyeja e vetme për këtë traditë: „Tradita ka qenë gjithnjë e tillë“.

Nga shokët e tij, akush nuk ka qenë i ballafaquar me një problem të ngjashëm. „Unë kam vetëm shokë gjermanë dhe askujt nuk i kam treguar, nga frika se ndoshta mund të bëhej edhe më keq“. Ademi nuk mund t`rrëfehet askujt, prandaj para një viti e gjysmë, ai filloi të kërkojë ndihmë në internet. Ai e gjeti shoqatën nga Mynihu „Imma“, e cila i këshillon personat e kërcënuar nga martesa e detyruar.

 

„Se ekzistojnë edhe burra të cilët janë të detyruar të martohen, kjo gjë po më duket e pazakonshme“, ka deklaruar bashkëpunëtorja e Imma-s, Bettina Gütschow. „Por, ekzistojnë mënyra të ndryshme të martesës së detyrueshme: Ndonjëherë burri kundërshton, ndonjëherë gruaja, ndonjëherë që të dy. Viktimat zakonisht kanë ndjenjën se janë të vetmuar me problemin e tyre“.

 

Edhe Ademi i këshillon të gjithë ata që janë të detyruar të martohen, që të kundërshtojnë një gjë të tillë. Po që se situata është e pashpresë, zgjidhja e vetme është një fillim i ri në ndonjë qytet tjetër.

 

Edhe te Ademi ishte një situatë e ngjashme. „Tek Imma e rrëfeva tërë historinë time, me letra të hapura. Pa ndihmën e kësaj shoqate nuk do të mund të largohesha nga Mynihu“. Edhe pse ai tmerrësisht e dashuron Mynihun, ai është dashur të largohet për në Hamburg, pasi nuk ka pasur tjetër zgjidhje.

 

Në Hamburg, ai jeton tani vetëm dhe me frikë të vazhdueshme, pasi mendon se familja e tij mund t`ia gjejë gjurmët. Në errësirë ai nuk del asnjëherë nga banesa, ndërsa po të dalë gjatë ditës, ai i vendos syzet e diellit dhe një kapelë.

 

Pasi në janar të këtij viti u kishte thënë prindërve se do të largohej, ata ishin shokuar. „Ishte vërtetë e tmerrshme“, i përkujton momentet Ademi, i cili disa herë u kishte lajmëruar për t`i qetësuar. Pothuajse më shumë se tre muaj, kontaktin me prindërit ai e ka ndërprerë plotësisht: „Asnjëherë më nuk do të kthehem“.

 

Shpresën për një dashuri të vërtetë, ai ende nuk e ka humbur: Ai është duke paramenduar të krijojë një familje, por për momentin ende nuk është i gatshëm, pasi në Hamburg ende nuk ka gjetur punë. (Shtegu.com)