Maqedoni e Veriut, jo të gjithë personat mund të marrin ndihmën prej 100 eurove

97 Lexime

Me ndryshimet ligjore për rastet sociale, kërkesat për pensionin e pleqërisë janë rritur dukshëm por shumë pak i plotësojnë kushtet për përfitimin e kësaj lloj ndihme. Në mungesë të informacioneve, shumë njerëz që kanë dëgjuar për ligjin e ri u drejtohen institucioneve kompetente për tu njoftuar me kushtet që duhet plotësuar për të marrë ndihmë prej 100 euro. I tillë ishte edhe një banor i Komunës së Çairit që kishte ardhur për tu njoftuar me kushtet e nevojshme për të gëzuar të drejtën e mbështetjes sociale për personat e moshuar.

“Kam dëgjuar për ligjin e ri, por thanë që do të vonohen pak. Nuk na është thënë asgjë andaj erdhëm që të pyesim”, u shpreh një qytetar, njofton Alsat-M.

Nga Qendra për punë sociale thonë se dukshëm është rritur interesimi i të moshuarve të cilët kërkojnë mbështetje sociale. Megjithatë, pak nga ata që kërkojnë i plotësojnë kriteret për këtë lloj ndihme.

“Po ka interes nga personat e moshuar. Çdo ditë nëpër sportele ka qytetarë që interesohen për dokumentacionin e nevojshëm dhe sapo i kompletojnë menjëherë aplikojnë. Për personat e moshuar është që të mos kenë asnjë të ardhur, nëse bëhet fjalë për çifte duhet që asnjëri të mos ketë të ardhura dhe atëherë vetëm njëri e gëzon të drejtën e jo të dytë, duhet të jenë banorë të qytetit ku jetojnë mbi 15 vjet në vazhdimësi dhe të mos kenë asnjë të ardhur tjetër nga burimet tjera”, deklaroi Natasha Stojanoviç, Qendra për Punë Sociale Shkup.

Familjet 4 anëtarëshe që kanë shfrytëzuar ndihmën sociale deri tani kanë marrë rreth 5 mijë denarë, ndërsa tani me ligjin e ri, marrin mbi 12 mijë denarë së bashku me shtesat fëmijërore dhe arsimore. Ndihma e parë me rritje është lëshuar këtë muaj. Nga Qendra për punë sociale thonë se janë duke shqyrtuar rastet e personave të cilët për vite me radhë marrin ndihma sociale dhe nuk janë kërkues aktiv të vendit të punës.