Luli nga Pozharani: E pashë me sytë e mi se si polici serb vrau tifozin kroat
Në një rrëfim për gazetarin sportiv Reshat Ibrahimi, shqiptari Lulzim Ostergllava nga Pozharani i Vitisë ka treguar një ngjarje që nuk do ta harrojë kurrë.
Rrëfimi i shqiptarit nga Kosova që ishte në stadiumin “Maksimir” për ndeshjen Dinamo Zagreb-C.Zvezda: Ju tregoj çka kanë parë sytë e mi
Ndeshjen që nuk u luajt kurrë mes Dinamo Zagrebit dhe Crvena Zvezdës nga Beogradi të datës 13 maj të vitit 1990 deri në fund të jetës nuk do ta harroj Lulzim Ostergllava nga Pozharani i Vitisë së Kosovës.
Në një bisedë për gazetarin Reshat Ibrahimi, ai pas 30 vitesh sjell detaje të padëgjuara deri tani nga derbi i njohur.
“Luli” me disa shokë kishin qenë të pranishëm më stadium.
“Në vitin 1990 unë së bashku me dy shokë pa dashje morëm rrugën e mërgimit. Në Kosovë ushtria dhe policia serbo sllave dhe paramilitarët serb kishte filluar represionin dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve, edhe unë isha në shënjestër të policisë serbe, ngase isha pjesëmarrës aktiv në demonstrata. Me shokët e mi shkuam në Zagreb dhe atje u vendosëm në disa baraka, pa kushte jo të mira. Unë isha i apasionuar pas futbollit dhe kur në të gjithë Kroacin u rritën ndenjat, pas ardhjes në pushtet të Franjo Tugjmanit, (u zgjodh president i Kroacisë) në gjithë Zagrebin valonte flamuri i Dinamos. Dhe, erdhi ai momenti i shumëpritur i derbit mes Dinamos e Zvezdës, dy ekipet pretendente për tu bërë kampion”, e nis rrëfimin Ostergllava.
Lulzimi kujton se si një shok e kishte paralajmëruar që mos të shkojnë në stadium, për shkak të rrezikut që sillte ndeshja, megjithatë ai i kishte blerë biletat.
“Ne i patmë blerë biletat në një kiosk në qendër të Zagrebit. Biletat ishin shumë shtrenjtë 50 dinar, në atë kohë gati 50 marka. Mirëpo, pasi i blemë një vendas i imi erdhi në banes dhe me tha: Luli nuk guxon të shkosh ta shikosh ndeshjen. Ishte Samet Bogujevci, dëshmori i cili ra heroikisht në Betejën e Gospiqit, por unë me shokë vendosëm të shkojmë në stadium e Maksimirit. Shkuam në stadium, por atje kishte masa shumë të rrepta sigurie. Policia kroate ishte shpërndarë për rreth stadiumit, ndërsa njësia speciale nga Bosnja ishte brenda në stadium. Dhe, ende pa dal lojtarët në nxemje filluan sharjet dhe ofendimet e tifozëve të Zvezdës, duke thyer ulëset e stadiumit dhe duke djegur foton e Tugjmanit dhe partisë së tij HDZ. Njësia speciale në vend që të evitoj konfliktin ajo u dha zemër tifozëve të Zvezdës, duke sulmuar me mjete të hekurta. Ishte tmerr, gaz lotësjellës, vrasje. Unë me sytë e mi e kam parë policin serb duke e vrarë me pistolet e tifozin kroat. Pastaj Bobani në stilin Kung Fu e shqelmoi policin, duke e pëprlasur në tokë. Në stadium pati dëme të mëdha, shumë të lënduar. Edhe për rreth stadiumit makina, tramvaja të thyera. Për mendimin tim ishte një skenar për prishjen e Jugosllavisë dhe ato skena ende i kam të freskëta në mendjen time”, përfundon rrëfimin Lulzim Ostergllava nga Pozharani i Gjilanit, sot 51 vjec. /Reshat Ibrahimi/