Luanët e shpëtuar nga „ferri“ shqiptar transportohen në Holandë

187 Lexime

20:35:24                2019-05-07

 

Lensi, Boby dhe Zhak do të vazhdojnë jetën në Holandë, pasi u morën nga një kopsht zoologjik në Shqipëri, ku ata u mbajtën në kushte të tmerrshme.
Tre luanë, të konfiskuar nga një kopsht zoologjik në Shqipërinë jugore, në tetor të vitit të kaluar, ku jetonin në kushte të mjerueshme, të martën janë transportuar në Holandë, kanë deklaruar nga shoqata që organizoi shpëtimin e tyre, përcjell Shtegu.com.

„Lensi, Boby dhe Zhak, 15-vjeçarë, pas një qëndrimi të përkohshëm në kopshtin zoologjik të Tiranës, do të jenë në qendrën Felida Big Cat në Holandë, deri në rimëkëmbjen e tyre të plotë“, ka deklaruar për AFP, Saimir Shehu, një zyrtar shqiptar i projektit „Katër kthetrat“, një organizatë ndërkombëtare për mirëqenien e kafshëve.

Pasi që ata ishin konfiskuar në kopshtin zoologjik të Fierit, më pas janë pritur në kopshtin zoologjik të Tiranës. Por, „luanët kishin nevojë për kujdes të specializuar mjekësor dhe kopshti zoologjik i Tiranës, ku ata ishin të vendosur nëpër kafaze, nuk ka mundur t`u ofrojë kushte optimale“, tha ai.

Luanët janë me shëndet të mirë fizik, por tregojnë çrregullime të sjelljes, ndoshta për shkak të kushteve të papërshtatshme të jetesës në kopshtin e vogël të kafshëve, të rrethuar nga ndërtesat në Tiranë, përcjell Shtegu.com. Udhëheqësit e projektit do të vendosin, në varësi të rezultateve të ripërshtatjes së tyre në Holandë, nëse ata do të ndalen atje, apo do të dërgohen në Afrikën e Jugut.

Tetorin e kaluar, autoritetet shqiptare ndërhynë në një kopsht zoologjik privat, për të shpëtuar njëmbëdhjetë kafshë, duke përfshirë tre luanë që u mbajtën në kushte jetese „ferri“, sipas OJQ-ve. Ata ishin përfaqësues të organizatës „Katër kthetrat“ të cilët kishin lëshuar alarmin pasi kishin vizituar kopshtin zoologjik në muajin korrik.

Lensi, një nga tre luanët, kishte një infeksion të rëndë të syve dhe ka qenë në rrezik të verbohej. Dy të tjerët kishin probleme serioze në sjellje dhe gjithashtu kishin nevojë për kujdes shtesë.

Përveç tre luanëve, të njëjtin fat në kopsht e kanë ndarë një ari, një zebër, disa drerë, antilopa dhe dhelpra, ndërsa kopshti zoologjik është i Fierit është mbyllur nga autoritetet. Ariu u mirëprit në Gjermani, zebra vdiq gjatë transportit për në kopshtin e Tiranës, antilopat janë me shëndet të mirë, ndërsa dhelprat janë lënë të lira.