LAJMI FUNDIT: Dorëzohet në policinë gjermane kosovari që aksidentoi për vdekje gruan gjermane

75 Lexime

16:17:18                2019-05-01

 

 

Sukses i shpejtë për policinë gjermane: Një shqiptar 21-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e një gruaje gjermane, gjatë garave të pakontrolluara me vetura në Moers të Gjermanisë, është paraqitur në polici. Që nga mbrëmja e së hënës, ndaj tij ishte aplikuar ndjekje publike.

Pas garës së dyshuar të veturave në Moers, që rezultoi me vdekjen e një gruaje jopjesëmarrëse, vozitësi shqiptar tashmë është paraqitur. 21-vjeçari, i cili thuhet se është përplasur me veturën e 43-vjeçares jopjesëmarrëse në garë gjatë Pashkëve, kishte ardhur në policinë e Duisburgut, i shoqëruar nga avokati i tij, kanë deklaruar nga policia. Kundër tij ishte ngritur një urdhërarrest për vrasje. Kjo do t’i bëhet me dije të mërkurën nga një gjykatës, shkruajnë mediat gjermane, përcjell Shtegu.com.

Të hënën, policia dhe prokurorët kishin publikuar emrin dhe fotot e kosovarit 21-vjeçar dhe kështu kanë rritur presionin e kërkimit. Hetuesit nuk e kishin përjashtuar mundësinë se kryerësi i dyshuar tashmë ishte larguar nga Gjermania.

Dyshohet se kosovari ka bërë një garë të paligjshme të veturave në Moers, me një person tjetër gjithashtu 21-vjeçar, në një rrugë me dy korsi. Gjatë një manovrimi të parakalimit, vetura e kosovarit është përplasur me veturën e vogël të gruas 43-vjeçare, njofton Shtegu.com. Ajo iu nënështrua plagëve të saja tre ditë më vonë. Të dy garuesit u arratisën nga vendi i aksidentit. 21-vjeçari, i cili u dorëzua të martën, dyshohet se ka derjtuar veturën e aksidentit.

Vozitësi tjetër i dyshuar i automjetit tjetër, është i njohur në polici. Ai tashmë është marr në bisedë informative, por nuk ka dhënë informata rreth ngjarjes, tha prokurori Sebastian Noé. Nëse do të lëshohet një urdhërarrest edhe kundër tij, varet nga rezultati i hetimeve të mëtejshme, përcjell Shtegu.com. Vendbanimi dhe kombësia e këtij të dyshuari, fillimisht nuk u bënë publike. Sipas Noe, zyra e prokurorit publik aktualisht nuk ka informatë se para garës, dy vozitësit e kanë njohur njëri-tjetrin.