Burim Demiri, shpresë e re e shqiptarëve nga Brukseli
15:38:33 2019-05-01
Burim Demiri, shpresë e re e shqiptarëve të Brukselit në zgjedhjet e tri niveleve që më 26 maj 2019 do të mbahen në Belgjikë, garës i kanë hyrë dhjetëra kandidatë me origjinë shqiptare. Në mesin e tyre është edhe i riu me prejardhje nga Runica e Kumanovës, Burim Hisen Demiri, 31 vjeçar, i cili është kandidat për deputet nga lista partisë DEFI për regjionin e Brukselit, dhe ka numrin 15.
Burim Demiri, në periudhën 2012-2018 ka qenë i zgjedhur me vota për këshilltar në Komunën Skarbek të Brukselit, gjatë së cilës ka bërë punë të mëdha për komunitetin shqiptar të kësaj komune. Veç tjerash, ai bashkë me babain Hisen Demiri, një aktivist i hershëm i diasporës shqiptare, e themeloi dhe financoi shkollën shqipe ne Skarbek, dhe me ndihmën e ish-burgmestrit Klerfai mori në shfrytëzim një stadium të madh për rininë shqiptare të FC “Kosova”. Më tej, me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, organizoi një konferencë shkencore, ndihmoi në aksionin për restaurimin e bustit të Skënderbeut, ngritjen e pllakës përkujtimore për atdhetarin Muharrem Bajraktari, etj.
Burim Demiri ka premtuar se nëse fiton të zgjidhet deputet i regjionit të Brukselit, do të angazhohet për avancimin e rinisë shqiptare të Brukselit, dhe inkuadrimin e tyre në jetën arsimore, kulturore dhe sportive, informon Shtegu.com. Ai tanimë i ka deponuar edhe dy kërkesa në Komunën e Skarbekut: Vendosjen e bustit të Nënë Terezës në një nga sheshet e qytetit dhe emërtimin e një rruge apo sheshi me emrin Ibrahim Rugova. Burimi asnjëherë nuk e ka harruar as vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve të tij, Runicën dhe Kumanovën, të cilat i viziton shpesh. Në vitin 2015, në Runicë ndihmoi ngritjen e pllakës përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të krimeve të komunizmit mbi këtë fshat. Ndërsa, paralajmëron edhe aksione tjera për vendin e të parëve të tij. Prandaj, komunitetit shqiptar iu ka gëzuar kandidimit të Burim Demirit, tek i cili shohin një shpresë të re dhe një mundësi më shumë për realizimin e kërkesave të tyre.