Lajmërohet kosovarja e zhdukur
Armonda Amzaj ishte shpallur si e zhdukur. Tani, 16 vjeçarja është lajmëruar përmes SMS-it: „Gjendem në Cyrih“. Me siguri se ndonjë person i ri është në lojë.
Vajza e re, e cila ishte shpallur e zhdukur që nga e hëna dhe ishte kërkuar nga policia zvicerane, tashmë është paraqitur. „Gjendem në Cyrih dhe jam shëndoshë e mirë, por nuk dua të kthehem në shtëpi“, i ka shkruar Armonda 16-vjeçare familjes së saj në një SMS.
Armonda Amzaj ishte largua nga shtëpia e saj rreth orës 07.30 nga Canobbio e Tiçinos për të shkuar në shkollë. Por, që atëherë ajo nuk ishte paraqitur më. Celulari i saj për orë të tëra ka qenë i mbyllur. Prindërit ishin shqetësuar shumë duke e shpallur të zhdukur dhe e lajmërojnë policinë zvicerane.
Por, prindërit nuk i besojnë shumë atij mesazhi dhe vazhdojnë të jenë të merakosur për fatin e vajzës së saj.
“Ne nuk e dimë se kush është ai”, thotë nëna e vajzës për mediet zvicerane. “Armonda nuk kishte të dashur”. Ndërkohë, familja kërkon që vajza të kthehet në shtëpi. “Ne duam t’i themi asaj që duhet të vijë në shtëpi. Të gjithë jemi të shqetësuar dhe shpresojmë që të mos bëjë ndonjë marri. E presim me krahëhapur”.