Sulmohet dhe ofendohet referi shqiptar në Zvicër
Çmenduritë nëpër stadiumet e Zvicrës, po vazhdojnë. Pothujase nuk ka javë që nuk pëlcet ndonjë skandal nëpër ligat amatore. Tashmë edhe gjyqtarët kanë filluar të mbrohen dhe ua kthejnë lojtarëve.
Kështu kishte ndodhur të dielën, para një jave në Allmend të Lucernit gjatë një ndeshje të Ligës së pestë rajonale, në mes të ekipeve „Luzerner Sportclub“ dhe „FC Luzern A“. Vetëm pas dhjetë minutash ndeshja është dashur të ndërpritet.
Porsa gjyqtari shqiptar Pjeter Ujka (47) i kishte treguar kartonin e verdhë një lojtari të FCL, për shkak të vërejtjeve, ai kishte filluar të duartrokasë në mënyrë ironike. Gjyqtari më pas i tregon edhe kartonin e dytë të verdhë dhe në të njëjtën kohë edhe të kuqin. Pas kësaj krijohet tollovi. Gjyqtari Ujka ka deklaruar: „Erdhi nga unë dhe në gjuhën shqipe ma shau nënën, duke më goditur në të njëjtën kohë me këmbë në gju“, pohon Ujka për „Blick“, njofton „Shtegu.com“. Ky ofendim është i tepërt për shqiptarët, prandaj gjyqtari ia kishte kthyer menjëherë.
Ekipi i FC Luzernit e ka përshkruar në këtë mënyrë veprimin e gjyqtarit shqiptar: „Gjyqtari e ka kapur për fyti lojtarin tonë dhe ka tentuar ta godasë në fytyrë. Kur lojtari ynë tentoi të ikë, gjyqtari filloi të vrapojë pas tij në përpjekje për ta rrahur. Së paku dhjetë lojtarë e funksionarë mezi e kanë ndalur“.
Por, gjyqtari shqiptar i mohon akuzat e tilla të FCL: „Kur ai më sulmoi, unë e kapa për fyti duke e distancuar nga unë, në mënyrë që të mos më godasë më. Unë nuk kam vrapuar pas tij. Tani, të gjithë mundohen të mi lënë fajet mua, pasi jam i vetëm. Më besoni, lojtari ishte i vogël, po të doja, do ta fusja në xhep. Po të doja ta rrihja, këtë gjë do ta bëja, por për gjashtë muaj nuk do të dilte më nga spitali“, ka pohuar gjyqtyri shqiptar.
Pjeter Ujka ishte në fushën e gjelbër edhe gjatë kësaj jave, në krahasim me lojtarin e FCL, i cili ishte suspenduar nga ekipi. Kryetari i klubit kishte pohuar se nëse ai zbulohet se e ka goditur referin në këmbë, ai do të përjashtohet definitivisht nga klubi. Më 11 nëntor, rasti në fjalë do të shqyrtohet hollësisht nga dëgjimi i të dyja palëve.