Kumanovë: 9 policë të plagosur dhe një i vrarë
Një polic i vrarë dh 9 të tjerë të plagosur është për momentin bilanci i përleshjes mes një grupi të armatosur dhe njësive special të MPB-së. Kështu njoftojnë jozyrtyarisht burime tona nga Kumanova, mirëpo këtë informatë për momentin nuk e kanë konfirmuar zyrtarë të MPB-së, të cilët ende nuk pranojnë të prononcohen zyrtarisht. Gjithë aksioni kishte filluar herët në mëngjes, kur pjesëtarët e Njësitit për Intervenim të Shpejtë, kanë tentuar të kapin një grup të armatosur, për të cilin policia ka pasur informacion se është strehuar në një shtëpi në Kumanovë. Madje, siç merr vesh jozyrtarisht KOHA, informatat policore kanë qenë se ky grup është bërë gati për të sulmuar stacionin policor në Kumanovë, dhe për këtë shkak është organizuar aksioni në fjalë. Mirëpo gjatë realizimit të tij, policët kanë hasur në rezistencë të armatosur, me ç’rast janë shënuar një numër i madh i të plagosurve nga radhët e tyre. Tre policë janë dërguar në Spitalin e Kumanovës, ndërsa të tjerët, me helikopterë në Klinikën e Shkupit, e cila është rrethuar me pjesëtarë të policisë speciale. Nga ana për shkak të bllokadës së rrugëve të Kumanovës që shpijnë deri në vendin e ngjarjes, nuk mund të mësojmë për numrin viktima në mesin e grupit të armatosur. Ajo që dihet është se një shtëpi ku supozohet se ata kanë qëndruar, është djegur e tëra si pasojë armatimit të hedhur ndaj saj, ndërsa edhe disa shtëpi tjera në afërsi kanë pësuar dëmtime. Për momentin nuk ka të shtëna por vërehen ekipe të shumta të ambulancave dhe ekipeve mjekësore të ardhura nga Shkupi. /Almakos/