Kumanova kuq e zi: Flamuri shqiptar vendoset në qendër të Kumanovës
18:42:44 2017-03-31
Policia e Kumanovës është mobilizuar në maksimum, pas vendosjes së flamurit shqiptar në një shtizë në sheshin qendror të Kumanovës, raporton Gazeta Lajm.
Flamuri është vendosur rreth orës 16 nga dy të rinj shqiptarë, pasi prej shtizës është hequr flamuri maqedonas. Momentalisht në sheshin e Kumanovës “vlon” nga policia, kurse është shtuar prezenca edhe në pjesë tjera të këtij qyteti. Policia ende nuk ka dalë me njoftim zyrtar për këtë ngjarje, mirëpo burime të Gazetës Lajm thonë se njëri prej dy të rinjve që kanë vendosur flamurin shqiptar është arrestuar menjëherë.
Së paku njëri prej dy personave që kanë vendosur sot flamurin shqiptar në sheshin e Kumanovës është nga fshati Sllupçan, njoftojnë për Gazetën Lajm burime nga Kumanova. (LAJM)
E plotesuar:
Luan Kadriu dhe Llokman Sadiku, që të dy nga fshati Sllupçan i Likovës, janë dy të rinjtë që sot pasdite kanë hequr flamurin shtetëror të Maqedonisë ndërsa kanë vënë flamurin shqiptar në sheshin e Kumanovës, shkruan gazeta KOHA. Dy të rinjtë tashmë janë ndaluar nga policia, ndërsa po hetohen shkaqet që detyruan dy të rinjtë të vendosin flamurin shqiptar në sheshin e Kumanovës. Shokët e Luanit dhe Llokmanit thonë se qëllimi i vendosjes së flamurit nuk ka qenë provokimi, por “kurioziteti” i dy të rinjve për të parë reagimin e institucioneve lokale. (koha.mk).