Ishin vitet e turbullta e të rënda të popullit shqiptar në Kosovë, nga fundi i dekadës së tetë të shekullit të kaluar. Papunësi e madhe, terror psikik e fizik mbi të pambrojturit, presion nga të gjitha anët ndaj shqiptarëve në të gjitha trojet e ish Jugosllavisë, e sidomos në Kosovë ku studentët po përgatiteshin të shfaqin pakënaqësitë e tyre ndaj gjendjes së mjerueshme të popullit. Njëri nga ta ishte edhe Ahmet Mehmeti nga Prishtina, i cili për shkak të këtyre kushteve mizore ishte i detyruar t`i braktisë studimet në fakultetin e ekonomisë pas vetëm dy vitesh studime.
Me zemër të thyer, në vitin 1979 ai mori rrugën e mërgimit duke u vendosur në Zvicër dhe ishte ndër mërgimtarët e parë që do të fillonte një jetë të re në kryeqytetin helvet, Bernë. Nuk shkoi shumë kohë dhe filloi punën si pjatalarës në një restorant, të cilën e ushtroi deri në vitin 1981. Më pas kalon në shërbimin e mysafirëve në rolin e kamarierit.
„Është një punë mjaft e rëndë dhe nuk do t`ia kisha preferuar askujt“, rrëfen përvojën e tij zotëri Ahmeti enkas për Shtegu.com, megjithëse pamja e tij fizike të shtyn të mendosh se ai është tepër vital dhe shumë i lëvizshëm përkundër moshës së tij 63-vjeçare.
„Vendosa ta përfundoj karrierën time mu në këtë moshë dhe nga fundi i këtij muaji do t`i them `mjaft më` angazhimit tim, për t`u pensionuar para kohe. Dua ta shijoj jetën me familjen time dhe më në fund të gjej qetësinë shpirtërore në këtë moshë. Në gastronomi njeriu nuk ka kohë as për familje e as për miq“, vazhdon zotëri Ahmeti, i cili që nga viti 2014 kishte vendosur ta menaxhojë restorantin e mirënjohur të Bernës „Steak-Club Steinhölzli“, në Komunèn Köniz. Puna e tij u kurorëzua me një mirënjohje të banorëve lokalë zviceranë, të cilët kanë vetëm fjalë miradie për familjen Mehmeti, e cila shpesh ua mundësoi krijimin e një ambienti fantastik familjar, me specialitetet e tyre zvicerane dhe kuzhinë franceze.
Gjatë bisedës, zotëri Ahmeti rrëfen edhe për periudhën e luftës së Kosovës, me ç`rast nga e gjithë lagjja e tij, vetëm atij ia kishin djegur shtëpinë. Me siguri se këtu kishte ndikuar aktiviteti dhe bashkëpunimi i tij i ngushtë me heroin legjendar Zija Shemsiu. Gjatë kësaj kohe, ai nuk qëndron duarkryq, pasi ishte tepër i etur për mësimdhënie në kuptimin e ruajtjes së kulturës dhe traditave shqiptare. Prandaj, ai inicoi themelimin e degës së Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH), për njërën ndër komunat më të mëdha në Zvicër, Köniz, në të cilën u tubuan shumë nxënës të bashkatdhetarëve tanë, si meritë e zotëri Ahmetit.
Të shpresojmë se zotëri Ahmeti do të kalojë çaste të shkëlqyeshme pas pensionimit, por buzëqeshja e tij do t`u mungojë shumë banorëve zviceranë, por edhe atyre shqiptarë, të cilët me padurim i prisnin shërbimet e tij të një gastronomi shembullor. Ju urojmë një periudhë pa brenga dhe me harmoni të plotë zotëri Ahmet Mehmeti !!!


