Koncerni amerikan shkarkon 190 myslimanë nga puna pasi faleshin
16:09:49 2016-01-02
Për shkak se nuk kanë pasur shumë kohë gjatë pauzës për tu falur, 190 bashkëpunëtorë myslimanë kishin hyrë në grevë në një firmë nga SHBA-të, e cila ka reaguar rigorozisht, duke i shkarkuar bashkëpunëtorët pas një paralajmërimi praprak. Sjellja e tillë e firmës tashmë ka shkaktuar zemërim të madh.
Në këtë firmë nga SHBA-të, zënka për pauzën për tu falur bashkëpunëtorët kishte eskaluar. Për shkak se ata nuk ishin të lejuar që ta ndërprisnin punën shpeshë për tu falur, 190 bashkëpunëtorë myslimanë kishin hyrë në grevë në një koncern agrar, informon „Denver Post“, njofton „Shtegu.com“. Me këtë rast, firma kishte reaguar me paralajmërim: Kush mungon nga puna për tri ditë me radhë, do të shkarkohet – dhe së shpejti edhe e realizoi paralajmërimin në vepër: Një ditë para Krishtlindjeve, 190 bashkëpunëtorët myslimanë ishin shkarkuar nga puna.
Jaylani Hussein nga „Council on American-Islamic Relations“, një organizatë e cila ka përfaqësuar më tepër se 100 persona të prekur, ka reaguar me mllef ndaj këtij vendimi: „Për ta më keq është ta humbasin namazin, se sa të dëbohen nga puna. Kjo është njësoj sikur ata ta humbisnin bekimin e Zotit“, ka deklaruar Hussein për gazetën në fjalë.
Firma ka reaguar ndaj akuzave të tilla, kinse bashkëpunëtorët myslimanë nga Somalia të jenë penguar në lutje: „Në asnjë kohë nuk i kemi penguar personat për tu falur“, ka pohuar një zëdhënëse e koncernit. Firma në fjalë i kishte mohuar edhe akuzat kinse ajo e kishte ndryshuar orarin e punës në mënyrë që të vështirësohet falja e namazit. Që nga viti 2009, firma ua kishte lejuar myslimanëve një lokal ku ata kanë mundur të falen.
Një zëdhënës tjetër ka deklaruar se shumica e myslimanëve kishin shprehur dëshirë që ata të faleshin në grupe më të mëdha. Një gjë e tillë për ta ka qenë e pamundur, pasi do të pengohej produktiviteti i punës. Një tryezë e rrumbullakët, e cila ishte paraparë të mbahej në mes të prekurve, udhëheqësisë së firmës dhe sindikatës, paraprakisht kishte dështuar.