Kompania zvicerane „Swiss“ i rrjepi shqiptarët e Kosovës

86 Lexime

11:45:46                2018-01-31

 

 

Në mesin e shqiptarëve të Kosovës në Zvicër, për çdo verë është e njëjta temë kryesore: Çmimet e shtrenjta të fluturimeve nga Cyrihu për në Prishtinë. Luan Morina (26) tani pohon:“Mjaft më! Kompania Swiss duhet të ndalet që ne shqiptarëve të na rrjepë“!

Për çdo verë të njëjtat probleme: Shqiptarët e Kosovës paguajnë çmime marramendëse kur shkojnë për pushime me familjet e tyre në relacionin Cyrih-Prishtinë.

Për Luan Morinën (26) nga Winterthuri, është e pakuptueshme politika e çmimeve të kompanisë Swiss. Edhe ai pushimet i kalon në vendlindjen e prindërve të tij dhe për këtë duhet të paguajë çmim të lartë, po që se do të heqë dorë nga udhëtimi i mundimshëm me veturë.

„Kjo është një temë e shpeshtë gjatë pushimeve verore. Ne shqiptarët e Kosovës kemi përshtypje se kompania Swiss po shfrytëzon monopolin e saj në mënyrë të pamëshirshme“, pohon Luani në një artikull për „Blick“, përcjellë Shtegu.com.

Në fakt: Më 14 korrik, dita e parë e pushimeve për banorët e Cyrihut, çmimet e flutirimeve për në Prishtinë e arrijnë kulmiacionin në Swiss. Ai i cili do të udhëtojë për pushime në Kosovë nga e shtuna, 14 korrik, deri të shtunën më 29 korrik, për një person duhet të paguajë 711 franga zvicerane për biletë kthyese.

Një krahasim: Fluturimet në të njëjtën periudhë për në Beograd, por edhe për Romë apo Madrid, kushtojnë deri në 50 për qind më lirë. Me këtë, Prishtina është destinacioni më i shtrenjtë i Europës duke llogaritur distancën.

Është e qartë se çmimet e shtrenjta për pushimet verore në mesin e shqiptarëve janë temë irrituese. „Ekziston një zemërim i madh, ne shqiptarët nuk duam që edhe më tej të trajtohemi në këtë mënyrë nga Swiss“, vazhdon më tej Luani.

Por, e vërteta e hidhur është se shqiptarët e Kosovës nuk kanë shumë alternativa tjera. Kompania Swiss, me kompaninë e saj simotër Edelweiss është e vetmja linjë direkte për në Prishtinë, përveç kompanisë gjermane Germania. Tek Germania nuk mund të rezervohen në mënyrë të drejtpërdrejtë fluturimet.

Dhe nga Bazeli ekziston edhe linja përmes easyJet, e cila fluturon për çmime shumë të ulëta për në Prishtinë. Për gjeneratën e dytë (secondos) nga Cyrihu, një fluturim i tillë është interesant vetëm po që se e rezervojnë ndonjë biletë „Economy-Standard“, pra udhëtim me të drejtë bagazhi.

Kompania Swiss nuk dëshiron të bëjë krahasim në detaje për çmimet e shtrenjta masive për në Prishtinë, në krahasim me qytetet e tjerë europianë. „Diferencat e çmimeve në destinacionet individuale shpjegohen me faktin se çmimet bazohen kryesisht në treg“, ka deklaruar zëdhënësja e Swiss, Meike Fuhlrott për Blick.

Për rreth 170.000 shqiptarët nga Kosova, në këtë mënyrë fluturimi për në Prishtinë bëhet i mundimshëm. „Familjet me më shumë se dy fëmijë asnjëherë nuk ka gjasa që të pagujanë biletë më të shtrenjtë se 700 franga“, përfundon Luani. Atyre u mbetet alternativa e vetme që të ndërmarrin udhëtimin e mundimshëm me veturë, për në vendlindje. Kjo do të thotë: Udhëtim 20-orësh me veturë, rreth 1.800 kilometra një drejtim dhe pritje të stërmundimshme pothuajse në çdo pikë kufitare të Europës Juglindore. Shqiptarët e Kosovës, mu këtë duan ta kursejnë. (Shtegu.com)