Katërmbëdhjetëvjeçarja gjermane rrëfen sulmin me sëpatë nga kosovari, të para një viti
16:09:43 2018-03-14
Para një viti, në stacionin heukurdhor në Düsseldorf të Gjermanisë, ndodhi një sulm i papritur me sëpatë. Atëbotë, një shtetas kosovar kishte sulmuar disa persona, në mesin e të cilëve edhe 14-vjeçaren gjermane Mara. Plaga e saj tashmë është shëruar, por vogëlushja ende ka shumë frikë dhe nuk guxon t`i afrohet derës e vetmuar.
Më 09 mars të vitit të kaluar, Mara C. ishte gati për të hipur në tren, kur papritmas u sulmua nga prapa. Një sëpatë e kishte goditur 14-vjeçaren në pjesën e lartë të krahut. Më tepër nuk i kujtohet asgjë.
Nxënësja gjermane ishte viktimë e një shtetasi 37-vjeçar kosovar, i cili para një viti, kishte sulmuar e plagosur pa përzgjedhje nëntë persona në stacionin hekurudhor në Düsseldorf, njëri nga ta mori lëndime të rënda. Pak kohë pas sulmit, kosovari është arrestuar. Ai i kishte rrëfyer psikiatrit se ka dëgjuar disa zëra, të cilët e kanë urdhëruar: „Tani ose kurrë duhet t`i sulmosh njerëzit“. Gjatë procesit gjyqësor, ai është shpallur i padenjë për tu gjykuar dhe tashmë gjendet përgjithmonë në një klinikë të mbyllur psikiatrike.
Por, Mara nuk mund ta harrojë sulmin ende. „Gjithnjë më shkon mendja në atë rast“, ka rrëfyer me një zë mallëngjyes për të përditshmen gjermane „RP-Online“, përcjellë Shtegu.com. Në përgjithësi ajo ndjehet shumë më mirë se menjëherë pas sulmit, por tek ajo vërehet ngarkesë e rëndë psikike. Në situata të ndryshme, kujtimet gjithnjë i kthehen në atë kohë, natën gjatë gjumit, gjatë ditës dhe në banesë. „Me këtë rast, e kthej kokën prapa dhe shikoj nëse ndokush qëndron pas meje“, vazhdon Mara.
Përderisa asaj i ishte shkaktuar një plagë e thellë dymbëdhjetë centimetra në krah, ajo është dashur të shikojë se si sulmuesi e ka goditur në kokë me sëpatë një tjetër person. Për fat të mirë, lokomotivisti i trenit i mbylli menjëherë dyert, duke shpëtuar kështu disa jetë, pasi sulmuesi mbeti në platformë. „Nga brendia e trenit mund të vërehej se si sulmuesi dukej agresiv“, ka rrëfyer Mara disa ditë pas sulmit. Fillimisht, askush nuk u përkujdes për te. „Një grua ishte afër meje, por kur e pa plagën, ajo u largua“, pohon mëtutje Mara. Më në fund, Antonia Dicke, një praktikante në gazetën në fjalë i kishte dalë në ndihmë, duke u përkujdesur për te.
Pas sulmit, Mara është dashur të qëndrojë për pesë ditë në spital. Shenja që i ka mbetur në krahun e saj të majtë, do t`ia kujtojë për gjithnjë sulmin. Duket se plaga është shëruar, por ajo ka shpeshëherë dhembje të mëdha. „Vijnë papritmas, pa paralajmërim“, thotë ajo. Përpos kësaj, ajo e ka vështirë të mbajë gjësende të rënda me duar.
Më të këqija se pasojat fizike, janë ato psikike, shkruan më tej Shtegu.com. Si përfundim i kësaj, Mara u lirua nga shkolla për katër muaj për shkak të asaj që kishte përjetuar, veçanërisht sepse ajo nuk ishte në gjendje të flejë dhe nuk mund të përqendrohej në përputhje me rrethanat. Edhe tani, profesori i klasës është i informuar për probleme të ngjashme, ndërsa ndihmë profesionale Mara pranon nga një psikologe. Por, ajo nuk ndalon të flasë për sulmin edhe me familjen e saj dhe me miq. „E kam një shok në shkollë i cili rregullisht më pyet se si ndjehem“, pohon Mara.
Edhe e ëma e saj shpeshë mendon se çfarë ka ndodhur me vajzën e saj. „Jam e lumtur që ajo ndjehet më mirë, por ka mundur të jetë shumë më ndryshe“, thotë ajo.
Në të ardhmen, Mara dëshiron t`i zhduket frika, pasi ajo me frikë lëvizë e vetmuar në rrugë, nëpër trena e autobusë. „Gjithnjë përpiqem që të kem pranë ndonjë familjar apo shok kur jam jashtë shtëpie“. Në transportin publik, ajo tashmë i vëzhgon më mirë njerëzit që i ka përreth, edhe pse pas sulmit, ajo nuk del shpeshë jashtë shtëpie, sikurse para sulmit. Për në fund, Mara ka një dëshorë të madhe: „Që edhe familja ime të jetë shëndoshë e mirë“, përfundon Mara. (Shtegu.com)