Kamioni rrëzohet 15 metra nga lartësia, postieri shqiptar i pari në ndihmë
08:27:24 2016-03-02
Pesëmbëdhjetë metra kishte rënë teposhtë një kamion nga rruga „Sihlhochstrasse“ në Cyrih të Zvicrës, paraditen e së hënës. Shkaku ende mbetet i paqartë.
Punëtorët Anibal Neves (35) dhe Fernando Mele (61), si dhe postieri shqiptar Sedat Sherifi (40), asnjëherë nuk do ta harrojnë atë të hëne. Ata ishin të parët që i dolën në ndihmë një vozitësi të kamionit gjerman, gjatë rënies së tij nga lartësia prej pesëmbëdhjetë metrash në shtratin e një lumi. Mele spjegon: „Ishim në depo duke shkarkuar, ballëpërballë vendit të aksidentit“. Papritmas, që të dy punëtorët kishin dëgjuar një zhurmë të madhe: „U ktheva dhe e pashë kamionin që ishte duke rënë nga lartësia, njësoj si në filmat aksionarë“. Italiani menjëherë kishte vrapuar në ndihmë, së bashku em kolegun e tij më të ri portugez, Anibal Neves.
Neves nuk e kishte humbur asnjë sekondë, menjëherë kishte kërcyer në lumë, për të parë nëse vozitësi kishte ngelur në kamion. Në atë moment, në vendin e ngjarjes arrinë edhe postieri shqiptar, Sedat Sherifi. Një ditë pas aksidentit, drama e së hënës është duke e preokupuar edhe më tej, ndërsa edhe gjumin nuk është duke e bërë si duhet. Atë që kishte parë dhe që kishte dëgjuar gjatë aksidentit, nuk i del dot nga mendja dhe nuk e lë të qetë: „Vozitësi bërtiste me zë të lartë. Këmbët e tij pothuajse ishin rrafshuar, ndërsa njëra nga to shikonte në drejtim të kundërt. Fytyra i ishte çrregulluar“, rrëfen Sedati për „Blick“, njofton „Shtegu.com“.
Vozitësi kishte qenë me vetëdije, por nuk kishte mundur të flasë. „E vërejta se ai nuk dëshironte të prekej, pasi më duket se kishte frikë nga ne“, vazhdon mëtutje postieri shqiptar. Me forca të përbashkëta, ata e kishin thyer xhamin e kabinës, duke ia prerë edhe rripin e sigurisë. Në ndërkohë arrinë edhe policia.Në këtë aksident kanë qenë të involvuara shtatë vetura me njëmbëdhjetë persona të lënduar, prej të cilëve gjashtë janë lëshuar nga spitali.
Edhe vozitësi 27-vjeçar rumun i kamionit nuk ka pësuar lëndime të rrezikshme për jetë, thuhet në një komunikatë të policisë zvicerane, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është duke u përmirësuar. Si vozitës me përvojë i kamionit, Sedat Sherifi mendon se rimorkioja ia ka ngadalësuar rënien kamionit, duke ia shpëtuar jetën e vozitësit.