Jetë e rëndë nën tenda e familjes shqiptare në Gjermani
Tashmë tre muaj duke jetuar nën tendë, kjo gjë ia ka shkatërruar nervat refugjates shqiptare nga Gjermania, Mariana Jaku (39): „Ka shumë zhurmë, është shumë vështirë të jetohet këtu. Të gjithë jemi duke shikuar nëse mund të gjejmë ndonjë banesë të rregullt“, rrëfen shqiptarja, e cila me tre fëmijët e saj është duke jetuar në qendrën e improvizuar për refugjatë në Itterstrasse të Düsseldorfit.
Por, ajo që është më e rëndësishmja për momentin, se askush nuk do të ngrijë nga i ftohti, pasi është siguruar sistemi ngrohjes që u siguron një temperaturë prej 20 gradësh celsius.
Edhe përkundër kësaj, jeta e Marianës nuk është pa brenga: Bashkëshorti dhe vajza e saj 18-vjeçare janë ende në Shqipëri. Ajo është duke banuar në një „kasolle“ të vogël disa metra katrorë, nën tendë, e cila iu ishte dhënë pas arritjes në Gjermani. Në te janë edhe dy krevatë dykatësh, në të cilët flejnë dy binjakët Emiliani dhe Frangu (16), vajza e saj e vogël Monika (6) dhe ajo personalisht. „Të rinjtë natën shpesh dalin në shetitje dhe kjo më bën të brengose“, vazhdon Mariana për gazetën gjermane „Express“, transmeton „Shtegu.com“.
Ajo dhe 300 banuesit e tjerë të „Qytetit të tendave“, tre herë në ditë duhet të shkojnë të furnizohen me ushqim, pasi nuk mund të përgatisin ushqimin personalisht. Kushtet higjienike janë në nivel të duhur pasi ka pajisje për tu larë, lavatriçe, si dhe kohë të lirë për shëtitje. Por, Marianën e shqetëson zhurma e madhe në afërsi, pasi muret e tendës janë të hollë dhe dëgjoht zhurma nga jashtë.
„Situata e banimit për refugjatët është gjithnjë e më e mirë“, ka deklaruar Miriam Koch, përgjegjësja e këshillit komunal për refugjatët. „Këtu mund të shërbehen tre herë në ditë me ushqim, që është një përmirësim i madh. Familjet si ajo e Marianës, kanë një hapësirë më të madhe banimi, me pajisje higjienike dhe kuzhinë personale. Por një banim në tendë nuk është i arsyeshëm nëse e kalon afatin prej tre muajsh, sidomos jo në dimër“.
Për Mariana Jakun dhe fëmijët e saj, pas zhvendosjes së saj, banimi mund të bëhet më i rehatshëm. Por, ajo duhet të llogarisë se pas një kohe të gjatë ose të shkurtër duhet të kthehet në vendlindje. „Tek shqiptarët, kuota e kthimit është më tepër se 99 për qind“, ka përfunduar Miriam Koch.