Ja se si një kanaçe e hedhur nga dritarja e veturës i vret kafshët shtëpiake

143 Lexime

15:21:15                2019-05-08

 

 

Një bujk zviceran ka humbur një lopë në kushte të tmerrshme. Ai dëshiron të tregojë pasojat e mbeturinave të hedhura në fushë.

„Për një javë, ajo kishte humbur me qindra kilogramë. Nuk hante, nuk pinte, por vetëm lëngonte“. Jean-Pierre Philipona po e shikonte lopën e tij duke ngordhur dalëngadalë. Pas shtatë ditësh agonie, fermeri me vendbanim në Granges, vendosi t`ia shkurtojë vuajtjet. „Pasi ia hapën barkun, veterineri zbuloi se zorrët e saja ushun të shqyera“, përkujton bujku zviceran. Verdikti ishte përfundimtar: Lopa kishte konsumuar një kanaçe alumini. „Litteringu është një kamxhik“, thotë fshatari zviceran për „20 Minutes“, përcjell Shtegu.com. „Ju nuk mund të imagjinoni se çfarë gjejmë në fushat tona! Kundër thatësirës, ​​nuk mund të bëjmë asgjë, por…“.

Pak më shumë se një vit më parë, Unioni i fshatarëve zvicerane filloi fushatën për parandalimin e hedhjeve të mbeturinave, duke e bërë prioritet. U projektuan shenja dhe mini-pamflete në mënyrë që vozitësit të ndalojnë hedhjen e mbeturinave të tyre jashtë dritares. Në Kantonin e Vaudit, sindikalisti nga Pomy, Yves Pellaux gjithashtu hapi një temë të ngjashme në fillim të vitit. Gjatë këtij dimri, edhe një lopë tjetër kishte ngordhur në kushte të ngjashme në Gruyère, ka informuar „La Liberté“, transmeton Shtegu.com.

I zhgënjyer tejmase, bujku nga Fribourg-u, foton e lopës së racës Simental, e ka postuar në Facebook. Ideja e tij është që të sensibilizojë sa më shumë njerëz të jetë e mundur. Sepse, në qoftë se rastet vdekjeprurëse të kafshëve janë të rralla, gëlltitja e mbeturinave është një problem real. „Zonat periurbane janë më të prekura“, thekson veterineri kantonal, Grégoire Seitert, përcjell Shtegu.com. Mbeturinat prej alumini dhe plastika të hedhura nga veturatm, copëtohen nga makinat agrare të fermerëve dhe përfundojnë në ushqimin e kafshëve. „Këto materiale shumë të mprehta, më pas gjenden në stomakun e ripërtypësve“, vazhdon ai. Këto mbeturina, pothujase është e pamundur të hidhen jashtë dhe shpesh mbeten në organizmin e tyre“.

Jean-Pierre Philipona është tepër i shqetësuar. „Të gjitha lopët e mia hanë në një vend,“ thotë ai. „Po lutem rregullisht që asgjë të mos u ndodhë të tjerave“.