Ish kryetari zviceran, Joseph Deiss përkujton vizitën në Shkup në varrimin e kryetarit maqedonas
Më 5 mars të këtij viti mbushen plot 17 vite, që kur u varros me nderime të mëdha ish kryetari i atëhershëm maqedonas Boris Trajkovski, i cili humbi jetën në një aksident tragjik me avion. Në një komunikatë të Këshillit Federal zviceran është shkruar:
Këshilli Federal ka mësuar me tronditje dhe trishtim lajmin e vdekjes së kryeatrit të Maqedonisë, Boris Trajkovski dhe shoqëruesit të tij në një aksident ajror këtë mëngjes.
Në një mesazh drejtuar kryetarit të përkohshëm të Maqedonisë, kryetari i Konfederatës zvicerane Joseph Deiss shprehu ngushëllimet dhe simpatitë e Këshillit Federal dhe popullit zviceran për Qeverinë e Maqedonisë dhe për familjet dhe të afërmit e viktimave të këtij aksidenti. Kreu i Punëve të Jashtme zvicerane gjithashtu i dërgoi një mesazh ngushëllimi homologes së tij, ministres së Jashtme, Ilinka Mitreva.
I përkushtuar me një ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe duke pasur si ambicie të vetme për të parë prosperitetin e Maqedonisë në të gjithë larminë e saj kulturore, kryetari Trajkovski kishte luajtur dukshëm një rol përcaktues në zgjidhjen e krizës që kishte kaluar vendin e tij në vitin 2001. Duke kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në përfundimin e Marrëveshjes së Paqës së Ohrit, që atëherë ai ka punuar me qeverinë për të zbatuar këtë marrëveshje dhe për të sjellë vendin e tij më afër Europës dhe institucioneve të saj. Humbja e tij pikërisht në ditën kur Maqedonia do të paraqiste kërkesën e saj zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Europian duket më tragjike.
Me kërkesë të Shtegu.com, këtë ngjarje e përkujton me mallëngjim ish kryetari i atëhershëm zviceran, Joseph Deiss. Në një mesazh të tij ai shkruan:
„Më 5 mars 2004, në cilësinë time si kryetar i Konfederatës zvicerane, unë përfaqësova Këshillin Federal në funeralin e kryetarit Boris Trajkovski, i cili humbi jetën në një aksident ajror në Bosnjë-Hercegovinë. Në delegacionin tim ishte këshilltari kombëtar Heiner Studer, një mik personal i kryetarit të ndjerë. Ceremonia ishte dinjitoze, e matur dhe megjithatë me një entuziazëm të madh njerëzor dhe zyrtar. Kishte një numër të madh të krerëve shtetërorë, kryetarëve dhe ministrave. Romano Prodi mbajti një fjalim funerali dhe sidomos mbaj mend praninë e Aleksander Kwasniewskit (Poloni) dhe Joschka Fischerit (Gjermani). Ishte një ngjarje mjaft prekëse për të cilën kam kujtime të përhershme“, përfundon kujtimet e tij kryetari i atëhershëm zviceran, Joseph Deiss.