INA – Rrëfimi i mërgimtarit: Si më grabitën hajnat serb në autostradën Beograd – Nish

55 Lexime

Shtetasi shqiptar i Maqedonisë me inicialet Z.R., rrëfen për INA tmerrin që ka përjetuar vitin e kaluar në autostradën Beograd – Nish në Serbi, kur është plaçkitur nga një grup kriminal serb, gjatë udhëtimit të tij nga Zvicra për në vendlindjen e tij në Maqedoni.

Ai është i përmbajtur dhe nuk dëshiron që të jap hollësi për identitetin e tij, por thotë se ka qenë viktimë e grupit kriminal serb, që sërish është shfaqur në këtë autostradë.

“Vitin e kaluar isha nisur nga Zvicra për në Maqedoni. Dhe nga rruga e gjatë kemi ndaluar në një pompë benzine në Serbi. Ka qenë puna sekondash, kur kriminelët serb i kanë rrëmbyer çantën bashkëshortes sime. Në çantë ishin 5 mijë franga dhe pasaportat tona, bashkë me fëmijët. Kemi thirrur policinë serbe dhe ka kaluar 1 orë nuk kanë ardhur. Pasi kanë ardhur nuk kanë bërë asnjë raport, dhe na lejuan që të shkojnë drejt kufirit të Preshevës. Por me të mbërritur në këtë kufi, autoritetet kufitare serbe pasi denoncuam rastin, prapë në kthyen në Serbi, në vendin e ngjarjes, duke na thënë që pa bërë denoncim zyrtar dhe pa marrë leje nga stacioni më i afërt i policisë ku kishte ndodhur plaçkitja, ata nuk do të mund të na lejonin për të shkuar në Maqedoni. Ashtu për 72 orë kemi mbetur në Serbi dhe policia heshte, duke treguar se ka bashkëpunim me këtë grup kriminal”, theksoi për INA, mërgimtari Z.R.

Sipas tij, grupi kriminal fliste serbisht dhe kishte një makinë me targa të huaja. “Ata u afruan për të kërkuar ndihmë dhe jemi habitur se sa shpejt kanë kryer grabitjen. Dhe janë larguar me dy makina”, ka rrëfyer dëshmitari, që sipas tij, për këtë çështje nuk ka pasur përgjigje asnjëherë nga autoritetet serbe.

Ai thekson se edhe këtë vit ka dëgjuar për lëvizjen e këtij grupi dhe se ai nuk ka ndalur për asnjë çast në pompa benzine në Serbi. Janë edhe disa raste të tjera me histori të ngjashme që asnjëherë nuk janë zbardhur. Dyshimet janë se grupi po bashkëpunon me pjesëtarë policie. Ditëve të fundit është shfaqur grupi i ngjashëm që është evidentuar në autostradën Beograd – Nish.

Denoncimi është bërë nga mërgimtarë, të cilët këtyre ditëve kanë ardhur në vendlindje përmes këtij destinacioni.

Një nga mërgimtarët ka shkruar në rrjetin social facebook, duke rrëfyer se grupi lëviz me 3 – 4 vetura, me ç`rast njëra është identifikuar Mercedes Benz S Klas me targa të Berlinit të Gjermanisë.

“Ata fillimisht afrohen dhe përmes një përshëndetje islame kërkon ndihmë se gjoja me familjen e tyre kanë mbetur në rrugë. Ata ofrojnë gjësende për të shitur dhe varësisht nga rrethanat edhe përmes kërcënimit më pas nxjerrin paratë nga mërgimtarët”, rrëfeu për INA, një nga mërgimtarët I.Rexhepi, i cili është njohur me këtë rast.

Ai ka kërkuar që të alarmohet kjo dukuri dhe se përfaqësuesit shqiptarë në Parlamentin e Serbisë të denoncojnë këtë gjë edhe në institucionet serbe. INA-online