12:21:09 2016-01-24
EJUP BERISHA
Udhëtimi me aeroplan në distanca të largëta, nga njëra anë është më i shpejtë dhe më efikas por nga ana tjetër është edhe më i rezikshëm në raste faktkeqsishë të mundshme. Disa statistika të bëra nga agjenci dhe institucione relevante ndërkombëtare për fatkeqsitë ajrore dhe rrugore që bëhen në jetën e përditshme, flasin se më shumë dhe më shpesh ndodhin fatkeqsi rrugore sesa ato ajrore. Me këtë dëshirohet të thuhet se komunikacioni ajror është më i sigurt dhe më pak i ekspozuar në rreziqe sesa ai rrugor.
Por kjo thënie nuk vlenë për 194 viktimat e dy fatkeqsisve ajrore që ndodhën në Republikën e Maqedonisë më vitin 1993. Në këto dy tragjedi të mëdha që ndodhën në distancë kohore prej tetë muajsh, jetën e humbën 194 persona shumica e konsiderueshme e të cilëve ishin shqiptarë. Fatkeqsia e parë ajrore më 5 mars të vitit 1993 ka ndodhur në Shkup, me ç`rast një aeroplan i tipit Foker 100 i Aviokompanisë Palair Macedonia u rrëzua menjëherë pas fluturimit nga aeroporti Petrovec. Në këtë tragjedi jetën e humbën 89 udhëtarë.
Ndërsa në tragjedinë e dytë, një aeroplan i tipit Jak 40 më 20 nëntor të vitit 1993, në ora 23 e 45 minuta është përplasur për majën e një kodre në afërsi të aeroportit të Ohrit. Si pasojë e saj jetën e humbën 115 persona që udhëtonin në relacionin Gjenevë Shkup. Dhe kur jemi te shkaqet dhe shkaktarët e këtyre fatkeqësive me pasoja katastrofike, apo kur jemi te përcaktimi I fajësisë dhe përgjegjsisë nga organet kompetente hetimore, nuk kemi asnjë fjalë të vetme që ishte obligim ligjor dhe moral i tyre që të tregojnë informacione për hetimet e bëra. Rrëzimi i avionit të parë në muajin mars të vitit 1993 në Shkup, sipas disa informacioneve jozyrtare, ka ndodhur për shkak të keqpërdorimeve që i kanë bërë autoritetet e atëhershme të aeroportit të Shkupit lidhur me lëngun për spërkatjen e trupit të aeroplanit për ta ruajtur atë nga ngrirja. Kështu që në vend që aeroplani Foker të spërkatet me një ton lëng kundër ngrirjes, ai është spërkatur me 500 litra të këtij lëngu, sepse 500 litra tjerë janë përzier me ujë. Ndërsa edhe në një analizë të vetme të bërë për fatkeqsinë është shkruar se krahët e aeroplanit kanë qenë të ngrira që kanë shkatuar difektin dhe rënien e tij.
Për fatkeqsinë e dytë që ndodhi në afërsi të aeroportit të Ohrit, autoritetet kompetente hetimore fajin për fatkeqsinë u munduan t`ua hedhin pilotëve të cilët gjithashtu ishin viktima të kësaj fatkeqsie. Informacionet jozyrtare flasin se Aviokompania Avioimpeks që ishte aviokompani e vetme që gëzonte status të privilegjuar në vitin 1993, atëkohë i paska pasur borxhe aeroporteve të Maqedonisë. Në çastin kur aeroplani Jak ka tentuar të bëjë ulje në aeroportin e Ohrit, autoritetet e aeroportit nuk ia kanë ndriçuar pistën për ulje të njëjtit. Gjatë tentimit që të ngritet sërish në qiell, aeroplani 200 metra pa e tejkaluar majën e kodrës së malit Trojan, është përplasur për të.
Në këtë rast shumica dërmuese e udhëtarëve janë djegur shumë, pasiqë autoritetet e Maqedonisë atëkohë nuk kanë pasur në dispozicion mjete teknike që të mbërrijnë në vendin e ngjarjes, që ka qenë një terren shumë i vështirë dhe I papërshtashëm derisa në ndihmë nuk kanë ardhur përfaqsues të OKB-së apo të misionit UNPROR, i cili atë kohë ka qenë i angazhuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në mision për ruajtjen e paqës në Republikën e Maqedonisë.
© ZHURNAL.mk


