Kryeministrat Zoran Zaev dhe Ana Bërnabiq kanë dhënë sinjale negative për hapjen e shpejt të pikës së shumëkërkuar kufitare Llojan – Miratoc që lidh fshatrat e Kumanovës e Likovës me ato të Luginës së Preshevës.
“E di që ekziston nevoja për banorët e asaj zone, por nga konstatimet e grupeve të punës për këtë çështje, do të shohim në të ardhmen a do të ketë logjik të hapet ky vendkalim kufitar. Kjo është çështje e resurseve, kohës. Nuk ekziston dilemë politike apo çështje e diskutueshme që i ikim ne, por kemi formuar grupe të punës të vlerësojmë se kjo pikë kufitare vetëm 17 km larg kufirit shtetëror Tabanoc-Preshevë, por për momentin nuk është prioritet i yni”, theksoi kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, përcjellë Alsat-M.
Kryeministri Zoran Zaev tha se nuk ka leverdi për hapjen e kësaj pike kufitare.
“Bëhet fjalë për familjet në dy anët e kufirit dhe nga këtu vijnë kërkesat. Këtu jemi që gjithçka të bëjmë për të mirën e qytetarëve. Por duhet të gjejmë mënyrë se si do ta mbajmë atë kufi, sa shërbime duhet të punojnë atje, për oraret e punës. Kështu që mbetemi të fokusuar në këtë çështje me qëllim që të dalim në shërbim të qytetarëve, por analizat janë për ato arsye se s’ka leverdi”, theksoi Zaev.
Ata këto komente i bënë dje në konferencën e përbashkët pas promovimit të pikës së përbashkët kufitare në Tabanoc. Projekti i ashtuquajtur “One stop shop”. (INA)