Hapë shitore në Kosovë me mallin e plaçkitur në Zvicër
Një kosovar 40-vjeçar, me bashkëpunëtorët e vet kishte plaçkitur disa kantiere nëpër Zvicër. Me mallin e vjedhur, ai kishte hapur shitore në Kosovë.
Të hënën, në Schwyz të Zvicrës filloi procesi ndaj një kosovari 40-vjeçar, pa prezencën e tij. Me bashkëpunëtorët e tij, ai akuzohet se në periudhën prej vitit 2007 deri 2011, në Zvicrën Qendrore dhe në kantonet Aargau dhe Cyrih, kishte plaçkitur disa kantiere, shkruan „Neue Luzerner Zeitung“, transmeton „Shtegu.com“.
Përpos tjerash, plaçkitësit kishin vjedhur edhe drita, material elektrik, makina të kafes, pajisje të vogla ndërtimtarie, por edhe pajisje të tëra të kuzhinave. Gjatë kësaj, ata kishin plaçkitur edhe një kamion në një vlerë prej 20 mijë frangave zvicerane. Vlera e mallit të plaçkitur arrin shumën prej gjysmë milioni frangash.
Disa nga bashkëpunëtorët e tij ishin arrestuar qysh në shtator të vitit 2011 duke u dënuar me një procedurë të shkurtër. Edhe kosovari 40-vjeçar kishte qenë një herë i dënuar: Në Kantonin e Lucernit, për shkak të plaçkitjeve të ndryshme, ai kishte qenë i dënuar me tre vjet e katër muaj burg.
Kosovari kishte paraqitur ankesë, duke u larguar në Kosovë, ku edhe gjendet aktualisht. Pasi u bë e ditur se janë plaçkitur edhe disa kantiere të tjerë, procesi ndaj tij u aktivizua sërish, prandaj Gjakata e Schwyzit e shqyrtoi edhe një herë lëndën e tij.
Prokuroja zvicerane Nathalie Schnyder ka akuzuar kosovarin dhe bashkëpunëtorët e tij se ka qenë aktiv në plaçkitjen e kantiereve të ndryshëm. Sipas Schnyder, mallin e plaçkitur kosovari fillimisht e kishte deponuar në një depo në fshatin Büron, e më pas e kishte transportuar për në Kosovë.
Sipas akuzës, kosovari e kishte ndërtuar në Kosovë një shtëpi duke e pajisur me mallin e vjedhur në Zvicër. Përpos kësaj, ai kishte menaxhuar edhe me dy shitore, të cilat i kishte pajisur me mallin e vjedhur. Ndër të tjera, në mesin e këtij malli ishin gjetur edhe mallra të destinuara për kantiere të ndryshme nëpër Zvicër.
Schnyder para gjykatës ka kërkuar 26 muaj burg shtesë duke i llogaritur edhe ato të mëparshmet, me të cilat ai dënohet gjithsej 5 vjet e 6 muaj burg. Sipas prokurores, dëshmitë për plaçkitjet janë të qarta, edhe pse kosovari kishte mohuar akuzat e tilla.
Ai kishte deklaruar se nuk e dinte nga e kanë prejardhjen mallrat nëpër shitore dhe se shitoret i takonin një kushëriri të tij.
Avokati i tij kishte kërkuar një dënim shtesë prej 15 muajsh, ndërsa vendimi do t`i dërgohet me shkrim.