„Gjykata e vrau për së dyti Almir Aliun“

124 Lexime

Përfundoi rigjykimi për rastin e Almir Aliut. Vendimi i gjykatëses Maja Denkoska nuk ndryshoi aspak nga ai paraprak. Katër të akuzuarit u shpallën fajtor dhe u dënuan njëjtë si herën e parë.

Për veprat e kryera penale, Gjykata i dënon në mënyrë identike si në vendimin e parë. Boban Iliq me burg prej 6 viteve, Sedat Aliu me burg 6 muaj, Sami Demiri me burg prej 9 muaj dhe Abdulla Aliu me burg prej 9 muaj – tha Maja Denkoska, Gjykatëse.

Përsëritjen e vendimit familja Aliu e cilëson vrasje të dytë të Almirit.

 Përsëritja e gjykimit për ne nënkuptoni vrasje të dytë. Këtë neve e kemi pritur. Gjykata e Kumanovës nuk ndan drejtësi për shqiptarët. Jemi të anashkaluar shqiptarët për dallim nga maqedonasit – deklaroi Sedat Aliu, babai i Almir Aliut.

Avokatët e familjes Aliut vendimin e cilësojnë si drejtësi të njëanshme, duke shtuar se përveç në Gjykatën e Apelit, lëndën do ta dërgojnë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Strasburg.

Bëhet fjalë për rast të montuar dhe këtë e kam thënë edhe më herët. Rast i montuar nga Prokuroria Publike e Kumanovës ndërsa tani i fuqizuar nga Gjykata Themelore e Kumanovës. Do t’i ndërmarrim të gjitha hapat ligjor në shtetin tonë për ta vazhduar betejën, por me qëllim fitimin e luftës, hapat tonë do t’i ndërmarrim edhe në nivel ndërkombëtar – u shpreh Asmir Alispahiç, avokat i familjes Aliu.

Pranimi i provave nga ana e prokurorisë në kuptimin e ekspertëve të cilët nuk posedonin licenca valide dhe përmbajtje të ekspertizave të tyre shumë tendencioze dhe mos pranimi i tre dëshmitarëve okular të cilët në mënyrë të saktë do e vërtetonin gjenden faktike – tha Ibrahim Bajrami, avokat i familjes Aliu.

Ndaj Boban Iliq nuk janë kërkuar masat e kujdesit edhe pse i njëjti deri në marrjen e vendimit në formë të shkruar dhe ankesën në Gjykatën e Apelit, sipas avokatëve të familje Aliu paraqet rrezik për t’u arratisur. Në seancë nuk morri pjesë prokurorja e rastit, Suzana Kusigerska dhe as avokati mbrojtës i Boban Iliq, Stevan Pavllevski. Prokuroria Publike njoftoi se do të ankohet për lartësinë e vogël të dënimit për të akuzuarin e parë. Vendimin e shkallës së parë Gjykata e Apelit e hodhi poshtë duke e kthyer rastin në rigjykim me arsyetimin se procedura ka shënuar dhjetëra parregullsi. Në akuzën e parë, Boban Iliq dyshohej për “vrasje”, ndërsa më pas Prokuroria Themelore e Kumanovës, duke u bazuar në ekspertizën neuro-psikiatrike rikualifikoi në vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion me pretekstin se Iliq nuk ka qenë në vetëdije të plotë kur e ka kryer veprën. Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë.

/Alsat-M/