Gjykata Administrative ia kthen kompetencat Taravarit në fushën e arsimit
Gjykata Administrative hedh poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për marrjen e kompetencave të kreut të komunës së Gostivarit në arsim, në fushën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve të shkollave të mesme dhe fillore. Sipas vendimit të Administratives, ankesa e komunës së Gostivarit është miratuar, ndërkohë, shpallet i pavlefshëm vendimi i Ministrisë për marrje të kompetencave të kreut të Gostivarit Arben Taravari. Kreu i Gostivarit në reagimin e tij ka theksuar se ky vendim konfirmon marrjen e kompetencave pa kurrfarë të drejte.
Kjo Gjykatë në periudhë të drejtësisë së kufizuar e aprovoi padinë e Komunës kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës se në mënyrë të paligjshme kryetarit të komunës së Gostivarit i janë marrë kompetencat në fushën e arsimit. Pra, tash secili nxënës, prind, qytetar, përfshirë këtu edhe militantët partiakë të BDI-së e kuptojnë se ata që morën në qafë arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja në komunën tonë, kanë emër e mbiemër dhe adresë. Nëse ka pikë morali në vete, Arbër Ademi duhet të kërkoj falje tek nxënësit, prindërit dhe arsimtarët e Gostivarit, dhe të deponojë tek
kryeministri, dorëheqjen e parevokueshme – shkruan në reagimin e Taravarit.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi në reagimin e tij në fejsbuk, porosit Taravarin se veprimet e paligjshme dhe shkarkimet e paligjshme të drejtorëve të shkollave, të konstatuara nga Inspektorati i Arsimit dhe Komisioni i shkallës së dytë nuk mund të mbulohen dhe se Taravari si dhe çdokush tjetër e ka të vështirë për ta politizuar dhe partizuar arsimin dhe për të emëruar drejtor madje pa fakultet.
Komunës së Gostivarit, deri më tani, dy herë nga nëntë muaj, i janë marrë kompetencat në fushën e arsimit, në pjesën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme. /Alsat