17:28:53 2019-02-18
Një grup i të huajve kishte paraqitur një ankesë penale kundër një policeje nga Schaffhauseni, e cila i kishte shqiptuar gjobë një personi që ishte përshëndetur me „Allahu akbar“, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell Shtegu.com.
Pasi Orhan E. ishte përshëndetur në një rrugë në Schaffhausen me shprehjen „Allahu Akbar“, 22-vjeçari është gjobitur me 210 franga zvicerane. Një grup i quajtur „Linke People of Color Zürich“ më 10 janar 2019, përmes postës kishte ngritur ankesë penale kundër personit të panjohur për shkak të diskriminimit racor. „Ne nuk duam të qëndrojmë duarkryq duke vëzhguar se si po shkilet rëndë liria fetare“, kishte deklaruar në atë kohë zëdhënësja Saule Yerkebayeva.
Të hënën në mëngjes, prokurori i Kantonit Schaffhausen ka publikuar një deklaratë për shtyp: Nuk do të ketë procedurë gjyqësore ndaj polices që shqiptoi gjobë në këtë rast.
„Sipas art. 261 bis të StGB personi i nënshtrohet ndjekjes penale, kur publikisht nxit kundër një personi ose grupi personash për shkak të racës së tyre, etnike ose fetare me urrejtje ose diskriminim“, thuhet në mesazh, transmeton Shtegu.com. „Një thirrje për diskriminim racor është publik vetëm nëse i drejtohet një grupi më të madh personash që nuk janë të ndërlidhur me marrëdhëniet personale“.
Në rastin në fjalë, policja e kishte plotësuar një raport me perceptimet e saj dhe ia kishte dorëzuar policisë së qytetit në Schaffhausen, thuhet më tej në mesazh.
Saule Yerkebayeva nga grupi „Linke People of Color Zürich“ është e zhgënjyer: „Është për të ardhur keq se prokuroria nuk dëshiron ta ndjekur çështjen“. Për fat të keq, edhe shoqata nuk mund të bëjë asgjë. „Mundësitë tona janë shterur në aspektin ligjor“. Megjithatë, nëse në të ardhmen sërish ndodhë diçka e ngjashme, grupi do të vazhdojë të marrë masa kundër racizmit dhe diskriminimit. „Nëse në të ardhmen të ndodhë diçka e tillë, ne përsëri do të ngitim kallëzim penal ose do të bëhemi aktivë në mënyra të tjera“, thotë Yerkebayeva.

