Gjermanja i gjen dokumentet e familjes së dëbuar kosovare në kontejner dhe ua dërgon në Kosovë
19:28:17 2017-04-16
Shtetasja gjermane Michaela Kelm ka reaguar me neveritje nga deklaratat më të reja të këshilltarit komunal Claus Ropertz, lidhur me rrjedhat e dëbimit të familjes Krasniqi në Kosovë. Pak pasi familja është dashur ta lëshojë territorin gjerman, në një kontejner mbeturinash në strehimoren në Gustorf, janë gjetur dokumente personale të kësaj familje. Ropertz ka pohuar se qyteti nuk mbanë përgjegjësi për këtë rast, pasi familja nga Kosova ka pasur kohë të mjaftueshme për tu përgatitur, ndërsa asaj i ishte thënë se me vete duhej të merrte edhe dokumentet e nevojshme. Bashkëpunëtorët komunalë i kishin hedhur në mbeturina dokumentet e familjes, pasi të afërmit e familjes i kishin rishikuar të gjitha.
Sidomos deklaratat e fundit të përgjegjësve e kanë irrituar zonjën Kelm, vajza e së cilës ka krijuar miqësi me djemtë e familjes Krasniqi. „Më një prill, unë i shkruajta një letër kryebashkiakut Klaus Krützen“, pohon ajo për „RP Online“, përcjellë „Shtegu.com“. Me këtë rast, ajo ka pasqyruar rrjedhën e dëbimit të familjes Krasniqi, duke cekur se dokumentet e tyre janë gjetur në kontejner për mbeturina, në mesin e të cilave edhe certifikata të lindjes, certifikata e martesës së prindërve si dhe disa dëftesa të tjera. Në kontejner është gjetur edhe fotografia e ndotur e vajzave të familjes. „Përse gjësende të tilla nuk dërgohen menjëherë në deponi?“, parashtron pyetjen ajo, duke bërë me dije se me këtë rast duhet të mbrohen të dhënat personale. Vajza e saj, Gina do të udhëtojë për në Kosovë, për t`ia dorëzuar familjes dokumentet e rëndësishme.
Përmes redaksisë së gazetës në fjalë, ajo thekson se nuk e ka ndërmend të zhvillojë „luftë të vogël“ me komunën, por parashtron pyetjen nëse Ropertz është informuar nga kryebashkiaku për letrën e saj. Para së gjithash, ajo nuk dëshiron që edhe një herë të ndodhë një gjë e tillë. Gjërat personale të të dëbuarve duhet të hidhen në deponi në mënyrë që askush të mos ketë qasje në të dhënat e tyre.
Nga ana tjetër, organet përkatëse kanë pohuar se nuk i kanë vërejtur dokumentet që i kanë hedhur. „Po t`i kishin parë se bëhet fjalë për dokumente origjinale, ne do t`ua kishin dërguar në Kosovë“, pohon zëdhënësja e komunës, Hammelstein.
Ajo ka paralajmëruar se në të ardhmen, komuna do të jetë më e kujdesshme, që një rast i tillë të mos përsëritet.