Kosovari vret boshnjakun: Unë jam vrasësi, më arrestoni
13:57:10 2017-04-17
Një kosovar 27-vjeçar, të dielën ka vrarë një boshnjak 26-vjeçar në Vjenë të Austrisë gjatë një zënke në rrugën „Jägerstrasse“. I arrestuari e ka pranuar aktin.
„Unë jam vrasësi, më arrestoni“. Me këto fjalë në polici është paraqitur një kosovar i dyshuar, pas një vrasje në Wien-Brigittenau të kryer gjatë të dielës. Një gjë të tillë e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë Patrick Maierhofer, gjatë ditës së hënë për Agjencinë e lajmeve APA, përcjellë „Shtegu.com“. Menjëherë pas kryerjes së aktit, 27-vjeçari është dorëzuar në stacionin më të afërt policor. Hetuesit policor kanë siguruar edhe armën me të cilën është kryer krimi.
Rreth orës 15.00 të së dielës, dëshmitarët e kanë alarmuar policinë, pasi në rrugën „Jägerstrasse“ kishin dëgjuar një zënkë të ashpër. Menjëherë pas kësaj, në trotuar është gjetur i shtrirë përtoke një person me një plumb të shkrepur në kokë. Fillimisht, hetuesit policorë kanë dyshuar në disa persona të përfshirë, por pas pak kohësh, një person i dyshuar është paraqitur në stacionin policor.
Bëhet fjalë për një kosovar të moshës 27-vjeçare. Viktima është një austriak 26-vjeçar me prejardhje boshnjake. I dyshuari ka deklaruar se ai e ka vrarë viktimën pas një zënke të ashpër, ndërsa në këtë veprim ai ka reaguar i vetëm. Megjithatë, i dyshuari nuk është prononcuar lidhur me motivin që e ka detyruar në këtë akt. Një gjë të tillë do ta bëjë pas marrëveshjes me avokatin e tij.
Arma me të cilin është kryer vepra, është gjetur në afërsi të vendngjarjes, në veturën e autorit. Bëhet fjalë për një pistoletë e kalibrit 7,62 mm, të cilën autori e kishte vendosur në veturë e më pas i ishte dorëzuar policisë.
Policia është duke i kryer hetimet e mëtutjeshme deri në ndriçimin e plotë të rastit. Ajo dyshon se autorët e përfshirë në zënkë janë njohur edhe më parë dhe se bëhet fjalë për një hisotri të gjatë.