Gjermania dëbon edhe 70 azilkërkues shqiptarë
Mijëra persona kishin kërkuar strehim gjatë këtij viti në Sachsen-Anhalt të Gjermanisë. Por, jo të gjithë kanë pasur ndonjë arsye të vërtetë për tu pranuar si refugjatë, kështuqë shumica prej tyre është dashur të largohen nga Gjermania. Shtatëdhjetë shqiptarë janë grumbulluar dhe janë dëbuar për në vendlindje.
Sachsen-Anhalti i Gjermanisë ka dëbuar me avion 70 shqiptarë për në vendlindje. Një avion charter me azilantë të dëbuar, pasditen e së mërkurës është nisur nga aeroporti Berlin-Schönefeld, thuhet në një kumtesë të Ministrisë së Brendshme gjermane. Paraprakisht, dy muaj më herët, kjo krahinë gjermane i kishte dëbuar me avion edhe 74 azilkërkues kosovarë. Deri nga fillimi i shtatorit, Sachsen-Anhalti ka dëbuar 559 persona të cilëve nuk u është pranuar statusi i refugjatit. Shumica janë larguar individualisht apo në grupe të vogla për në vendlindjet e tyre, ka deklaruar për „Mitteldeutsche Zeitung“ zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme , Stefan Brodtrück, përcjellë „Shtegu.com“.
Sipas Brodtrück, flututimin e avionit e kanë shoqëruar policët federalë dhe mjekët gjermanë, në destinacionin e Tiranës. Ai gjithashtu ka pohuar se edhe në të ardhmen do të organizohen dëbime në grupe.
Pas sirianëve, shqiptarët janë grupi më i madh i azilkërkuesve në Sachsen-Anhalt. Deri në korrik të këtij viti, gjithsej 1.360 shqiptarë kishin parashtruar kërkesa për azil, ndërsa prej tyre 99,9 për qind kanë përfunduar pa sukses.