Gjenevë: Ja se si punëtorët „në të zezë“ mund të pajisen me viza B

51 Lexime

19:13:51                  2017-02-21

 

 

 

 

 

Kantoni i Gjenevës do t`i legalizojë punëtorët „në të zezë“, po që se i përmbushim disa kritere të caktuara. Ministrja zvicerane e Drejtësisë, Simonetta Sommaruga ka dhënë dritë jeshile për „Operacionin Papyrus“, në krahasim me paraardhësin e saj, Christoph Blocher.

 

 

 

 

Këshilli kantonal i Gjenevës, të martën ka paraqitur një program gjithëpërfshirës për legalizimin e qëndrimit të punëtorëve ilegalë në vend. Me këtë operacion, 590 punëtorë ilegalë tashmë janë pajisur me lejeqëndrim të rregullt, ndërsa pritet të shqyrtohen edhe 300 dosje të tjera. Se sa do të jetë numri i legalizimeve deri në fund të operacionit, mbetet e paqartë. Secili rast do të shqyrtohet individualisht, nuk do të ketë as kufi të sipërm e as të poshtëm, ka deklaruar Nathalie Riem, zëdhënëse e Entit të migrimit në Gjenevë.

 

 

 

Për momentin, në Zvicër supozohet se jetojnë rreth 75.000 persona „në të zezë“, shumica prej të cilëve në Gjenevë. Rreth 13.000 mijë persona jetojnë dhe punojnë në këtë rrethinë, ndërsa janë të angazhuar kryesisht në punët e amvisërisë.

 

 

 

„Operacioni Papyrus“ bazohet në të drejtën aktuale për të huajt. Një kërkesë mund ta parashtrojë personi i cili në Zvicër ka jetuar pandërprerë për dhjetë vite me radhë, gjë të cilën mund ta dokumentojë, ndërsa për familjet me fëmijë të moshës shkollore, mjaftojnë vetëm pesë vite, shkruajnë mediet zvicerane, njofton „Shtegu.com“. Përpos kësaj, ata duhet të jenë të integruar mjaftueshëm, ta njohin gjuhën e vendit, të mos jenë të dënuar dhe të kenë reputacion të mirë financiar.