Gjashtëvjeçarja shqiptare me violinë mallëngjen gjermanët

112 Lexime

Me violinën e saj dhe koferin e gjelbërt të errët, vogëlushja shqiptare Tereza është ulur në një shkollë fillore të Hamburgut, për t`i dëgjuar ligjëratat muzikore. „I kam marr me vete vetëm rrobet. Rrobet dhe violinën time. Pasi më thanë se do të qëndrojmë për gjithnjë. Asnjëherë më nuk do të kthehemi në Shqipëri“. Për babain e saj është një lehtësim i madh mundësia që Tereza t`i vijojë ligjëratat muzikore. „Përderisa të vendoset lidhur me vendimin përfundimtar për aplikimin e kërkesës për strehim, nuk mund të bëjmë asgjë“, ka deklaruar Artan Boci për „ndr.de“, njofton „Shtegu.com“. „Jam mirënjohës që së paku kemi leksione muzikoe, në mungesë të mësimit të vërtetë shkollor – dhe për mua është shumë vështirë, për tu punësuar këtu“.

 

 

Prona më e rëndësishme për Terezën është violina e saj. Vogëlushja gjashtëvjeçare shqiptare, ishte arratisur me familjen e saj nga Shqipëria, pasi baba i saj ishte kërcënuar. Asaj po i mungon vendlindja, por Gjermaninë e përshkruan të mrekullueshme.

 

Përkundër të gjithave, babai i saj nuk dëshiron të mendojë lidhur me dëbimin. Ai është i vetëdijshëm se 99 për qind e të gjitha kërkesave për strehim nga Shqipëria, rrefuzohen nga autoritetet gjermane. Por, rasti i tij është i veçantë: „Ne nuk kemi ardhur për shkaqe financiare. Unë e kam jetën time, të hollat e mia, pronën time dhe një jetë të mirë“.

 

 

Në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, familja e Terezës udhëheqë dy restorante. Sipas Bocit, para disa muajsh, në restorantin e tij disa persona të panjohur kishin vendosur një granatë, duke i lënë edhe një mesazh me shkrim në të cilin kërcënohet edhe me atentate të tjerë. Ai rastin e kishte paraqitur në polici, por ajo nuk kishte mundur ta ndihmojë familjen e tij. „Prokurori më tha se nuk po arrin ta gjejë autorin. Unë besoj se ata mund ta gjejnë, por në Shqipëri zakonisht punët ia lënë viktimës për t`i zgjidhur“.

 

 

Gjatë verës, Tereza Boci me prindërit e saj dhe fëmijët e tjerë të familjes kishte ikur nga Shqipëria për në Hamburg. Babai, nëna dhe dy motrat e Terezës kishin ikur së bashku me gjyshërit, një teze dhe dy fëmijët e saj. Nga Shqipëria, familja kishte kaluar në Itali e më pas, me një furgon të vogël kishte arritur në një qendër strehimi në Hamburg të Gjermanisë. Edhe pas dy e më tepër muajve në Hamburg, Tereza nuk mund ta harrojë shtëpinë: „Po më mungon shtëpia dhe dhoma ime. E doja shumë dhomën time. Dhomën dhe të gjitha lojërat e mia“.

Artan Boci është duke shpresuar se intervenimi urgjent i avokatit të tij, do ta parandalojë dëbimin eventual. Para së gjithash, për shkak të mbrojtjes së fëmijëve të tij. Nga e gjithë kjo situatë, Tereza nuk kupton edhe aq shumë. Ajo ka arsye të tjera për të qëndruar në Gjermani. „Këtu është për mrekulli. Para së gjithash më pëlqejnë lulet dhe shtëpitë“. Ajo ka edhe një dëshirë: të mund të vijojë shkollimin. Por, më së tepërmi ka dëshirë që sa më shpejtë të largohet nga qendra e strehimit dhe të ketë dhomën e saj.