Futbollisti shqiptar që ia vranë motrën në Mynih, shpalos emocionet

156 Lexime

08:03:05                   2019-05-06

 

Më 22 korrik 2016, sulmuesi Ali David Sonboly (18) qëlloi për vdekje nëntë persona para një qendre tregtare në Mynih të Gjermanisë. Në mesin e tyre edhe Armela, motra e Arbnor Segashit. Ajo ishte vetëm 14 vjeçe. Në kohën më të keqe të jetës së tij, ekipi i tij i futbollit ishte aty për të.

Në shesh, Arbnor Segashi ka ndjenjën se motra e tij është ende me të. Këtu ai tregon historinë e tij.

Pipinsriedi ishte koha më e keqe dhe më e bukur e jetës sime. Më rrëqethet trupi kur e them këtë. Shumica mendojnë, si mund të flasë për një kohë kur e humbi motrën e tij? Nuk ka asgjë më të keqe se të humbësh motrën në një sulm vrasës. Unë vazhdoj të pyes vetveten: Përse ndodh kjo? Përse i ndodhi motrën sime? Përse familjet duhet të përballojnë vuajtje të tilla? As edhe një armiku më të madh të familjes nuk do t`i dëshiroja ndjenja të tilla vetëm për një ditë, me ato të cilat po i përballon familja ime. Për njerëzit në Mynih, sulmi vrasës tashmë është diçka e së kaluarës. U bënë tre vite. Për mua, sulmi vrasës ndodhë për çdo titë. Nuk ka ditë që nuk e përkujtoj se çfarë ndodhi asaj dite. Nuk ka ditë që nuk e kuptoj se më mungon një person që aty ishte çdo ditë.

Armela ishte si unë, vetëm se vajzë. Sa herë që e shikoja, e shihja vetveten time tek ajo. Ajo ishte vetëm 14 vjeçe. Por, unë mund të flisja me të për gjërat që nuk i tregoja edhe mikut tim më të mirë. Këtë e vura re më vonë, kur e pyeta vetveten: Si ishte ajo si njeri? Armela ishte tifozja ime më e madhe, ishte në çdo lojë me mua. Kur Armela më shikonte duke luajtur futboll, kjo do të thoshte gjithçka për mua.

Trajneri i Pipinsriedit, Fabian Hürzeler: „Do ta fitojmë lojën për Armelën“

Në stacionin tim të parë të futbollit të meshkujve, e humba vullnetin për lojë. Në FC Unterföhring nuk u pranova seriozisht. Mezi mund të luaja ndonjë lojë. Atje gjithmonë ish vetëm „i vogli“. Pas transferimit tim te FC Pipinsried në Bayernliga, emocionalisht isha shumë i lumtur. Më në fund më lejohej të luaja. Kjo ishte vërtet ajo që më duhej. Pastaj erdhi dita kur motra ime vdiq.

Unë isha duke kërkuar Armelën. Tërë natën. Kur në orën gjashtë të mëngjesit e kuptova çfarë ka ndodhur, të parit i shkrova trajnerit Fabian Hürzeler: „Fabi, ajo është e vdekur“.

Unë udhëtova në Kosovë për të varrosur motrën time. Gjatë kësaj kohe Fabi i bëri gjërat më të duhura. Për këtë, do t`i jem mirënjohës gjithmonë. Ai më shkroi: „Mund të kthehesh kur të duash. Por ditën që do të vish, do të luash me mua. Lojën e parë kur ti të jesh me ne, do ta luajmë për motrën tënde“. Në kohën më të keqe të jetës sime, kur për asnjë sekondë nuk mendoja për futboll, Fabi arriti të më motivojë për një ndeshje futbolli.

Unë nuk mund të prisja që të zbres nga aeroplani dhe të shkoja në ndeshje. Në kabinë më silleshin një mijë mendime në kokë: A është e drejtë? Motra ime vdiq një javë më parë, ndërsa unë i vërsulem topit, në vend se të jem me prindërit e mi dhe t’u ndihmoj. Por, e dëgjova këshillën e Fabit. Ai tha: Do ta fitojmë lojën për Armelën.

„Kam marrë kërkesa për miqësi nga njerëz që vrasësin e kanë si foto të profilit“

Në fushëne gjelbër kishte heshtje një minutë. 700 tifozë nuk bëzënin. E kuptova: Kjo ndodhi vetëm sepse motra ime është e vdekur. Në atë moment do të kisha dashur të ikja. Loja ishte si një film. Në çdo kontakt me topin, stadiumi brohoriste. Ishte e mahnitshme. Ndjeja që tifozët po e bënin nga dashuria për te. Ata donin të më tregojnë se aty janë për mua. Gjithashtu, pas vdekjes së Armelës edhe ekipi u mbajt shumë mirë. Çdo lojtar do ta mbaj në zemrën time përgjithmonë. Ekipi ishte aty për mua gjatë kohës më të keqe të jetës sime. Kurrë nuk do ta harroj këtë.

Kur Armela vdiq, gjendeshim në pozitën e parafundit në tabelë. Pas vdekjes së saj, startuam me një seri fitoresh, duke fituar 14 ndeshje me radhë dhe u ngjitëm në Regionalliga. Për herë të parë po shkoja në fushë të gjelbër me një qëllim. Ishin fjalët e Fabit. Doja të fitoj për Armelën. Që atëherë, unë nuk luaj më për t’u argëtuar. Unë luaj për motrën time të vdekur. Për Armelën. Për tifozin tim më të madh.

Në javët pas vdekjes së saj, ngushëllimet ishin të mëdha. Vetëm pas një viti e gjysmë kam mundur t`i hap mesazhet, pasi që e dija se çdo fjalë është një shuplakë në fytyrë, pa marrë parasysh se a është me qëllim të mirë apo jo. Në çdo tekst shkruante: Më vjen keq që motra jote ka vdekur. Me çdo mesazh, një pjesë e zemrës sime po thyhej. Shumë njerëz donin të më ndihmonin mua dhe familjen time.

Por ekzistonte edhe ana tjetër: Edhe sot e kësaj dite, unë pranoj mesazhe nga nazistët dhe votuesit e AfD-së, të cilët më shkruajnë: „Shumë keq që qëlloi vetëm motra jote dhe jo e gjithë familja jote“, shkruan Shtegu.com. Për të qenë i sinqertë, më parë nazistët për mua nuk luanin rol. Sot, kur shoh pllakate zgjedhjesh apo video dhe mendoj se motra ime u vra nga një i çmendur që e ndante këtë mendim, duhet pyetur vetveten: Në cilin drejtim po zhvillohet shoqëria jonë? Për çdo ditë marr kërkesa miqësie nga Facebook-u, nga njerëz që vrasësin e motrës sime e kanë si foto të profilit.

„Sa herë që isha në fushë, dielli fshihej për një moment të shkurtër“

Nuk mund ta kuptoja këtë pas vdekjes së Armelës. Shumica nuk mund ta kuptojnë se si kam luajtur futboll përsëri, një javë pas funeralit. Isha si një rrënojë, nuk ndjeja asgjë. Kisha nevojë t`i shfrytëzoj 90 minuta në fushë në mënyrë që të ndjeja ndonjë gjë. Kishte momente në lojë kur dëshiroja të qaja. Kur luaja futboll, më shumë vija re se motra ime nuk është më gjallë. Armela ishte aty çdo lojë. Kur zbres në fushë, ndjejë sikur Armela ende është duke më shikuar. Në sezonin e ngjitjes në një rang më të lartë me Pipinsriedin, me të vërtetë ishte çmenduri: Sa herë që isha në fushë, dielli fshihej për një moment të shkurtër.

Pas vdekjes së Armelës, futbolli nuk kishte më vlerën e njëjtë në jetën time. Ai është ende i rëndësishëm për mua. Por nëse duhet të ndaloj nesër, do të ishte në rregull. Unë duhet të jetoj pa motrën time, prandaj mund të jetoj edhe pa futboll. Kur të kthehem në shtëpi, e shoh nënën, babanë dhe motrën e madhe. Ne jemi mirë – pavarësisht gjithçkaje. Nënën time nuk e pashë të qeshur për një vit pas ngjarjes. Kur u largoja nga shtëpia, ajo qante. Ka familje që thyhen pas ndonjë goditje të fatit. Ne, si familje jemi më të fortë se kurrë më parë.

Askush nuk mund të imagjinojë se sa e keqe në të vërtetë është kjo situatë. Gjithkush mendon: Trishtimi duhet të jetë i pafund. Por shumë më keq është që jeta të qëndrojë. Gjithçka tjetër vazhdon. Ju duhet ta dorëzoni deklaratën tuaj tatimore, të paguani një hua. Prindërit e mi nuk mund të punonin më. Herëdo-kurëdo e dija: Duhet të bëj diçka. Tani, kam hapur një bar. Sot, më në fund mund t’u jap përsëri diçka prindërve të mi. Paratë e mia janë të mjaftueshme për ne.

„Tani engjëlli im me të vërtetë ka krahë“

Pas vdekjes së motrës sime, unë shkrova një tekst për të në Instagram: „Tani engjulli im me të vërtetë ka krahë. Pusho në paqe, motër e dashur“. Që atëherë unë publikoj poezi për Armelën. Dua të tregoj se sa njeri madh që ishte. Askush nuk duhet të harrojë atë që ka ndodhur me të. Unë kaloj për çdo ditë nga McDonald’s-i ku ajo u qëllua. I vej lule në monument. Më duket e pabesueshme se sa shumë njerëz të ftohtë janë. Unë kurrë nuk do të mund të ha atje kur e di se: Këtu, një i çmendur vrau nëntë fëmijë të pafajshëm.

Kur lexoj ndokun se familjet e viktimave ngadalë po e marrin veten, pyes vetveten: Si mund ta shkruajë dikush kështu? Edhe sot e kësaj dite, familjarët e viktimave mendojnë për vetëvrasje. Familjet e tyre nuk e gjetën rrugën për t`u kthyer në jetë. Ata kurrë nuk do ta gjejnë rrugën e tyre sërish në këtë jetë. Është një jetë tjetër. Një jetë pa motrën time. Zgjohem për çdo ditë dhe Armela nuk është më. Çdo ditë dal nga shtëpia me këtë ngarkesë të pafund. Askush nuk e mban ate për mua.

Në fillim ishte një përpjekje për të pranuar se Armela nuk është më këtu. Unë nuk doja ta pranoj. Sot, nga ana tjetër, po përpiqem ta kuptoj që për të tjerët është normale se ajo nuk është më këtu. Nuk dua ta lë në harresë se nëntë persona të pafajshëm u qëlluan për vdekje në Mynih. Çdo ditë dëshiroj që Armela të vijë përsëri në ndonjë lojë. Ose motra ime e vogël të më vizitojë vetëm për një orë në barin tim. Do të doja t`i tregoja atë që kam bërë në jetën time. (Shtegu.com)

Përshtatur nga „Merkur.de“