Shqipëria dhe Serbia kanë një marrëdhënie të ndërlikuar, por futbollistët serbë që luajnë në klubet shqiptare nuk u intereson: Sporti kapërcen gjithçka, përfshirë ndarjet etnike dhe politike
„Futbolli është një mjet i mrekullueshëm për të mësuar të jetoni së bashku“, thotë Luka Milunoviq, 29 vjeç, i cili është një nga rreth pesëmbëdhjetë futbollistët serbë që shqelmon topin në Shqipëri.
Marrëdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit janë helmuar nga çështja e Kosovës, ish-krahinës serbe, pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e njohu kurrë, të shpallur në vitin 2008, një dekadë pas një konflikti vdekjeprurës, shkruan gazeta franceze „L`Express“.
Mosbesimi mes Kosovës me shumicë shqiptare dhe myslimane, dhe Serbisë sllave e ortodokse është shumë larg shqetësimeve të Luka Milunoviq, i cili thotë se në Shqipëri përjetoi „një mirëseardhje shumë të ngrohtë“.
Ai ka katër muaj që luan në divizionin e parë në ekipin e Kukësit, një rajon malor në kufi me Kosovën, i cili kishte pritur më shumë se 500 mijë shqiptarë kosovarë të arratisur nga dhuna serbe gjatë luftës.
Për të, është vazhdimi i natyrshëm i karrierës së tij pas Crvena Zvezdës dhe OFK-së Beograd, Belgjikë, Malajzi, Greqi dhe Hungari.
“Jam këtu për dashurinë e futbollit”, shpjegon Milunoviq për AFP teksa stërvitej me bashkëlojtarët e tij shqiptarë, por edhe kosovarë, malazezë, kroatë, nga po aq vende që nuk kanë mbaruar së lari hesapet e shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë.
Erjon Allaraj, zëdhënës i ekipit
“Për lojtarët dhe tifozët, Luka është njëri prej nesh”, konfirmon Erjon Allaraj, zëdhënës i klubit. Në pyetjen e portalit „Shtegu.com“ përse në Serbi nuk ka ndonjë futbollist shqiptar, Erjoni për gjigjet: „Po shqiptarët e kanë treguar me vite se dinë ta bëjnë dallimin mes futbollit dhe politikës. Në Shqipëri ka shumë por edhe ka pasur ndër vite futbollistë serbë të cilët janë sjellë si profesionistë dhe në futboll nuk duhet të ketë nacionalitete. Fakti që nuk ka shqiptarë në kampionatin serb, nuk është problemi i shqiptarëve, por është problemi që serbët kanë në mendje duke mos arritur të bëjnë dallimin e sportit me politikën. Për shembull, në klube europiane ka futbollistë shqiptarë që luajnë me serbë në skuader dhe nuk ka pasur probleme politike sepse janë për një qëllim, për të pasur sukses të përbashkët“, ka deklaruar zëdhënësi i klubit
“Ne flasim gjuhë të ndryshme por të gjithë e dimë gjuhën e futbollit”, shtoi kapiteni i Kukësit Gjelbërim Taipi, shqiptar nga Bujanoci i Serbisë.
I gjithë ekipi festoi së bashku lindjen e fëmijës së parë të Lukës në dhjetor. Foshnja dhe gruaja e tij aktualisht jetojnë në Beograd, por Milunoviq shpreson se familja e tij do t’i bashkohet së shpejti.
Në anën tjetër të vendit, pranë brigjeve të Adriatikut, Aleksandar Ignjatoviq, 33 vjeç, ndodhet kapiteni i ekipit të ligës së parë të KF Laçit, ku fërkohen edhe disa nacionalitete ballkanike.
Futbollisti që ka luajtur në Serbi, Holandë dhe Hungari kujton tronditjen dhe shqetësimin e miqve të tij kur mësuan për largimin e tij në Shqipëri: „Çfarë do të bësh atje – Poshtë! Pse të shkosh në atë vend?“.
“Tani kur shikojnë në Instagram jetën time në Shqipëri, shumë më thonë se duan të vijnë të më vizitojnë”.
Ai dëshiron të përdorë përvojën e tij bikulturore për ritrajnimin e tij pas futbollit. „Po mendoj të hap një agjenci turistike që do të më lejojë të punoj në Shqipëri dhe Serbi. Tani i njoh të gjitha vendet e bukura në Shqipëri,“ thotë ai, duke shpjeguar se turizmi serb po zhvillohet në vendin pritës.
Ai krenohet që ka shumë miq shqiptarë dhe tallet me paragjykimet etnike.
„Futbolli ndihmon në forcimin e lidhjeve. Futbolli dhe politika janë dy botë krejtësisht të ndryshme“, thotë kapiteni, i cili prej tre vitesh jeton në Tiranë me gruan dhe vajzën tre muajshe.
Vladimir Novakoviq, specialist i futbollit në kanalin serb Sportklub, thekson në mënyrë më prozaike se Serbia eksporton shumë lojtarë profesionistë të cilët „duhet të sigurohen që të gjejnë një klub pasi jetojnë nga ky sport“.
Por kjo botë nuk kursehet gjithmonë nga idetë ultranacionaliste, asnjëherë larg sipërfaqes në Ballkan.
Në vitin 2018, gjatë ndeshjes Zvicër-Serbi në Kupën e Botës, lojtarët zviceranë me origjinë kosovare Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, skandalizuan duke festuar golat e tyre me një shenjë që të kujton shqiponjën dykrenare të flamurit shqiptar.
Në vitin 2014, në Beograd, incidente të dhunshme shpërthyen gjatë ndeshjes kualifikuese të Euro-2016 ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, kur një dron fluturoi mbi stadium duke tërhequr zvarrë një flamur që mbante hartën e „Shqipërisë së Madhe“.
Beogradi akuzon rregullisht Tiranën dhe Prishtinën se kanë qëllimin përfundimtar të bashkimit të komuniteteve shqiptare të Ballkanit në një shtet të vetëm.
Në të kundërtën, në stadiumet serbe, nuk është e pazakontë të dëgjosh ultras që mbrojnë „Serbinë e Madhe“, një koncept i dashur për Sllobodan Millosheviqin që çoi në masakrat dhe spastrimin etnik të viteve 1990.
Sipas Superligës në Beograd, aktualisht asnjë futbollist shqiptar nuk luan në Serbi.
Në kryeqytetin serb, Borisav Stojaçiq, 82 vjeç, është nostalgjik për „epokën jugosllave kur prania e lojtarëve shqiptarë në Serbi nuk ishte asgjë e jashtëzakonshme. Kështu duhet të ishte. Përqendrimi te kombësia është një problem që u shfaq vetëm disa dekada më parë“. i vjen keq.


