Franca në zi: Nga zjarri i shkaktuar humbin jetën pesë persona, prej të cilëve katër fëmijë
13:46:49 2017-10-02
Natën në të hënën, në një zjarr që ka shpërthyer në një ndërtesë sociale në Mulhouse të Francës, pesë persona e kanë humbur jetën. Identitei i tyre ende nuk është vërtetuar, ndërsa në mesin e tyre janë edhe katër fëmijë.
Zjarri që e ka përfshirë një ndërtesë sociale në Mulhouse të Francës, sipas informatave të gazetës franceze „L’Alsace“ ka shpërthyer në bodrumin e ndërtesës, përcjellë „Shtegu.com“. Në vendngjarje kanë dalë ekipe të shumtë të zjarrfikësve dhe ekipe të shpëtimit. Në brendinë e ndërtesës janë gjetur pesë kufoma, ndërsa tetë persona të tjera kanë pësuar lëndime pjesërisht të rënda dhe janë dërguar në spital.
Kryebashkiaku i qytetit francez e ka konfirmuar rastin në fjalë, duke konstatuar se në mesin e viktimave janë edhe katër fëmijë. Për momentin ende nuk ka informata lidhur me identitetin e tyre. „Një tmerr i vërtetë, i gjithë qyteti është tronditur nga kjo dramë. Ndërtesa ka qenë në një gjendje shumë të mirë, ndërsa kjo pjesë e qytetit nuk ka qenë asnjëherë problematike“, ka deklaruar kryebashkiaku.
Në analizën fillestare të situatës, ekipet e shpëtimit kanë hasur në tym të madh dhe rreth 20 persona duke kërkuar ndihmë në katet e sipërm të ndërtesës, të cilët me ndihmën e shkallëve janë shpëtuar me sukses.