FOCUS: Rasti i paskrupullt ndaj Kezharovskit, brengosë Gjermaninë

55 Lexime

11:03:30               2017-08-15

 

 

 

 

 

Gazetari 51-vjeçar investigativ nga Maqedonia është mysafiri i fundit gjatë këtij viti, të Fondacionit për të përndjekurit politik në Hamburg.

 

 
Presionin e përndjekjes nga Drejtësia maqedonase, gazetari Tomislav Kezharovski e ka të njohur tashmë kohë të gjatë. Sidomos disa javë para udhëtimit të tij në Gjermani, ai e ka pasur shumë vështirë, ka pohuar gazetari investigativ maqedonas, pas arritjes së tij më 14 gusht 2017: „Tani dua të përpiqem që të çlirohem nga ndjenja permanente e frikës“.
Karrierën e tij gazetareske, Kezharovski e ka filluar në vitin 1999 tek e përditshmja „Utrinski Vesnik“ në Shkup. Në vitet 2003, gjegjësisht më 2013, Instituti maqedonas për mediume e shpërbleu me çmim për reportazhin më të mirë investigues. Deri nga mesi i vitit 2013 ka punuar tek e përditshmja „Nova Makedonija“. Më pas, gazetari ishte viktimë e intrigës juridike shtetërore.

 

 
Duke u bazuar në një akuzë të rreme, Kezharovski u arrestua më 28 maj 2013, shkruan „Focus“, përcjellë „Shtegu.com“. Edhe pse arriti t`i hedhë poshtë të gjitha akuzat e drejtuara ndaj tij, nga instanca e parë Kezharovski u dënua me katër vite burg, që pas pesë muajve prapa grilave, të shndërrohet në arrest shtëpiak. Më pas, Gjykata e Apelit ia përgjysmoi dënimin, duke i llogaritur edhe qëndrimin në burg, por edhe arrestin shtëpiak.

 

 

 

Por, autoritetet juridike ia arritën qëllimit të tyre: Ata e parandaluan me sukses një hulumtim të papërshtatshëm të Kezharovskit.

 

 
Botuesi disident Nikolla Mlladenov, në revistën e tij të pavarur gjithnjë e kritikonte ish kryeministrin Nikolla Gruevski dhe rrjetin e tij nga korrupsioni. Në fund të muajit mars të 2013-ës, në një aksident misterioz, Mlladenov e humbi jetën. Organet hetuese, deri më sot kanë refuzuar të hetojnë rastin dhe të dalin me ndonja raport zyrtar.

 

 
Që nga pushimi i tij nga puna në „Nova Makedonija“, Tomislav Kezharovski nuk ka mundur më të punojë si gazetar në Maqedoni. Secilës disfatë para Gjykatës, hetuesit janë përgjigjur me ndonjë akuzë të re. Për herë të fundit, Kezharovski është dashur të llogarisë edhe me një burgim të sërishëm.

 

 
Në rastin e Kezharovskit dëshmohet qartë politika antidemokratike dhe represive e Gruevskit. Edhe pas ndryshimit të pushtetit në qershor të vitit të kaluar, përkrahësit e tij kanë mbetur në të njëjtat pozita. Aktualisht, nuk ka shenja të ndryshimit të politikës të kandidatit për anëtar të BE-së. Xhabir Deralla, kryetar i Organizatës për të drejtat e njeriut „Civil Center for Freedom“, përndjekjen e Kezharovskit e ka vlerësuar si „dëshmi të qartë të një drejtësie të politizuar“. Aplikimi i Kezharovskit për një grant nga Fondacioni për të përndjekurit politik, është përkrahur nga „Gazetarët pa kufinj“ dhe „Civil Center for Freedom“.