Një film për këngën labe është realizuar nga regjisori anglez Dan Shutt. Filmi ka si temë këngën labe, muzikën polifonike popullore shqiptare. Protagonistët kryesorë janë Artisti i Popullit Golik Jaupi, Vullnet Silaj dhe Endri Hodaj.
Grupi Lab vizitoi Mbretërinë e Bashkuar për të shfaqur për herë të parë këto këngë baritore 3000-vjeçare, në premierën e tetorit 2019, shkruan sot Gazeta Shqiptare.
Pjesëtarët e grupit rrotullohen rreth zërit kryesor, zukatjes së fuqishme (‘iso’) dhe teknikave të ndryshme të ndërlikuara të cicërimave zanore, që imitojnë dhitë, kambanat dhe tingujt e maleve shqiptare. Kur këndon Grupi Lab, dridhet toka!
“Isoja mund të këndohet nga kushdo dhe sa më shumë njerëz të përfshihen në një këngë, aq më e fortë është forca emocionale. Kur këto grupe këndojnë dridhen xhamat e dritareve dhe toka tundet, në kuptimin e plotë të fjalës!” – thotë Dan Shutt, regjizori i filmit, “Ëashed by the Moon” (Larë në Hënë). Titulli i filmit bazohet në një këngë të njohur labe të titulluar “Labëri larë në Hënë”.
“Po punoja në Londër në vitin 2016, duke bërë një regjistrim, kur dëgjova një këngë të quajtur “Janinës ç’i panë sytë”, – tregon regjisori Shutt, mbi takimin e tij të parë me këtë muzikë. “Ajo është një këngë shumë ë famshme në Shqipërinë jugore, me një harmoni që të këput shpirtin. Më bëri që ta lë punën time në mes menjëherë, dhe të fluturoja për në Shqipëri. Të ndihur nga një fat i mirë i pabesueshëm, unë dhe shoku im i fëmijërisë, Isaac-u, një kinematograf i madh, përfunduam në Shtëpinë ku shpall Pavarësia e Shqipërisë, më 1912, me një grup vendas këngëtarësh legjendarë të polifonisë. Na dhanë fjalën se do na jepnin çdo gjë të tyren, thjesht e vetëm për ta ndarë muzikën e tyre me ne, që tashmë ishim miqtë e tyre.”/koha