Edhe më keq se në kohën migjeniane: Familja 10 anëtarëshe e ‘mbytur’ në varfëri (Foto)

84 Lexime

E gjithë dita i shkon duke shëtitur përreth shtëpisë së saj. Është tetëvjeçare por nuk e ndjekë shkollën. Asnjëherë nuk ka qenë aty. Kushtet shumë të rënda të jetesës i’a pamundësojnë asaj të jetojë njësoj si bashkëmoshatarët e saj.

Shpeshherë, nëna e saj nuk ka mjaft ushqim për atë. Fytyra i rri e varur, sikur do të tregojë se ka një hall. Ardiana është vajza e Bashkimit dhe Vahides. Çifti që jeton në fshatin Janjevë të Lipjanit ka tetë fëmijë dhe nuk i kanë as kushtet elementare për jetesë. Asnjëri nuk janë të punësuar, jetojnë vetëm nga shuma që marrin si ndihmë sociale.
Sot nuk kanë asgjë në shtëpi. Vaj, kripë dhe pak qumësht, asgjë tjetër nuk ka Vahidja që t`iu shtrojë tetë fëmijëve të saj. Nuk kanë as shtretër të mjaftueshëm për të kaluar natën. Madje, edhe dyert e shtëpisë u mungojnë.

Vahidja mundohet të rrëfejë për jetën e saj në skamje…
“Tetë i kam, asnjë nuk e kam në shkollë. Dyer jo, kauça jo, 10 anëtarë në tre kauçë flemë, krejt tela janë. As sfungjerë, as jastekë, as asgjë. Fëmijë lypin me ngrënë e me pi, nuk kanë asgjë hiç”, thotë ajo.

Kur tetë fëmijët kërkojnë për të ngrënë, Vahidja e ka shumë të vështirë të gjendet përballë tyre.

“Ndodhë që prej sabahu deri në aksham janë pa ngrënë e pa pi. As nuk kam miell as asgjë”, thotë ajo. Fëmija më i madh i familjes është 12 vjeç, derisa më i vogli pritet t’i mbushë 2. Këta fëmijë asnjëherë nuk u ndjenë ‘nxënës’. Nuk qenë asnjëherë pjesë e një shkolle, siç janë bashkëmoshatarët e tyre. Nëna e tyre thotë se nuk ka mundësi t’i regjistrojë ata në shkollë.
“Në shkollë asnjë nuk kan shkuar, nuk kanë veshë, as mbathë, asgjë…veç me u tranu”, thotë ajo.
Dita iu shkon në shtëpi. E as aty pothuajse nuk kanë si të qëndrojnë. Si pasojë e mos-mobilizimit të shtëpisë shpesh brenda iu hynë edhe ndonjë kafshë.

E kur mërziten, dalin e shëtisin përreth oborrit të tyre. Por edhe këtë e kanë mjaftë të vështirë. Rruga që të shpien në shtëpinë e tyre është e gjitha e prishur.

Nata i mbledhë bashkë në shtëpi, të strukur pranë njëri-tjetrit.
Vahidja nuk di se çfarë të bëjë në këto kushte të rënda. Ajo lutë të gjithë njerëzit qëllim-mirë që t’i ndihmojnë me aq sa kanë mundësi.
“Lutna me më ndihmu se jam ngushtë, nuk kam asgjë, jemi mbetë katastrofë”, thotë ajo. /Bota Sot/